Në podcastin PIKË u diskutua ambicia afatgjatë e Rusisë për zgjerim territorial, roli i Ukrainës në sigurinë evropiane dhe rreziku i projekteve për korrigjim kufijsh në Ballkan.
Në podcastin PIKË, publicisti Veton Surroi dhe analisti i gjeopolitikës Ilir Kulla diskutuan luftën në Ukrainë dhe strategjinë afatgjatë të Rusisë për ndryshimin e kufijve në Evropë përmes përdorimit të forcës.
Sipas Kullës, lufta në Ukrainë nuk duhet parë si një konflikt i izoluar rajonal, por si pjesë e asaj që ai e cilësoi si “lufta në Mesdhe” dhe në kontinentin evropian, ku Rusia prej vitesh ka ndjekur një projekt historik të zgjerimit territorial. Ai theksoi se Moska ka përfituar nga dobësia dhe naiviteti i Perëndimit, duke avancuar këtë projekt që nga viti 2008 me Abhazinë dhe më pas në vitin 2014 me aneksimin e Krimesë.
Veton Surroi rikujtoi se presidenti rus Vladimir Putin nuk e ka fshehur asnjëherë ambicien për të “korrigjuar” kufijtë e humbur pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, të cilin e ka cilësuar si “fatkeqësinë më të madhe” për Rusinë. Sipas Surroit, kjo filozofi ka udhëhequr drejtpërdrejt veprimet e Rusisë në Ukrainë dhe në rajone të tjera.
Surroi po ashtu e përgëzoi Kullën për qëndrimin e tij kundër idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se kjo ide përbën një projekt me origjinë ruse.
Nga ana tjetër, Kulla nënvizoi se Rusia është mbështetur në disa shtylla kryesore në luftën në Ukrainë, përfshirë pastrimin etnik në zonat me popullsi rusofone, kontrollin ekonomik përmes energjisë, drithërave dhe mineraleve të rralla, si dhe dominimin e porteve strategjike, veçanërisht në Detin e Zi. Sipas tij, synimi fillestar ishte marrja e porteve si Mariupoli dhe izolimi i Ukrainës nga deti, duke e lënë Odesën si dalje të vetme.
Në diskutim u theksua edhe përdorimi i demografisë si instrument i sigurisë kombëtare, përmes zhvendosjeve të detyruara të popullsisë dhe ndryshimit të përbërjes etnike në territoret e pushtuara. Po ashtu, Kulla ngriti shqetësime për shfrytëzimin e shëndetësisë dhe krizave, si pandemia e COVID-19, duke vendosur institucionet shëndetësore nën kontroll ushtarak.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se lufta në Ukrainë ka ndryshuar rrënjësisht arkitekturën e sigurisë evropiane dhe se pasojat e saj do të ndihen për një kohë të gjatë, jo vetëm në Ukrainë, por në të gjithë Evropën.










