Petrit Hajdari konfirmon se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar se respekton vendimet e partisë, por nuk i sheh rikthimet si zgjidhjen e duhur për PDK-në.
Ish-kandidati i PDK-së për Drenas, Petrit Hajdari, ka njoftuar sot se nuk do të jetë pjesë e garës zgjedhore të 28 dhjetorit. Në një mesazh drejtuar qytetarëve, simpatizantëve dhe aktivistëve të PDK-së, ai shprehu mirënjohje për përkrahjen që ka marrë ndër vite, duke kujtuar mbi 17 mijë votat e fituara në zgjedhjet e kaluara parlamentare. Hajdari falënderoi edhe ish-kryetarin Memli Krasniqi për besimin e treguar ndaj tij.
Ai u shpreh se ka qenë dhe do të mbetet në mbështetje të PDK-së, pavarësisht mospajtimeve me disa vendime brenda partisë, duke iu referuar në veçanti rikthimeve të fundit, përfshirë edhe atë të Ramiz Lladrovcit. Hajdari theksoi se, megjithëse i respekton vendimet e partisë, ai beson se kjo nuk është zgjidhja më e mirë për të ardhmen e PDK-së dhe të Kosovës.
“Bashkimit të synuar nga partia unë s’i bëhem pengesë, por për të mirën e PDK-së dhe Kosovës, ndonëse besoj që s’është kjo e mira e PDK-së,” u shpreh ai, duke shtuar se nuk mund të tradhtojë besimin e mijëra votuesve që e kanë përkrahur ndër vite.
Hajdari konfirmoi se, përkundër kërkesës së kryetarit dhe kryesisë së PDK-së, ka vendosur të mos jetë kandidat në zgjedhjet e 28 dhjetorit, por do të qëndrojë “krah për PDK-në, kandidatët tanë dhe Bedri Hamzën për kryeministër”.
Në fund, ai falënderoi qytetarët dhe mbështetësit për përkrahjen e vazhdueshme, duke e mbyllur mesazhin me firmën: “I juaji, Petrit E. Hajdari”.






