Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar raport me shkrim nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë lidhur me veprimet e ndërmarra nga kjo prokurori në rastin e vrasjes së trefishtë në fshatin Gllogjan.
“Në bazë të kompetencave të tij ligjore, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë raport me shkrim lidhur me kronologjinë e veprimeve të ndërmarra nga ana e Prokurorisë Themelore në Pejë për rastin e vrasjes së trefishtë në fshatin Gllogjan, pasi që Gjykata Themelore në Pejë, më datë 24 gusht 2026, ka marrë aktgjykim lirues ndaj personave të akuzuar për këtë rast.”, thuhet në njoftim.
Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj tre të akuzuarve Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, lidhur me akuzën për vrajsen e trefishtë më 26 nëntor 2021 në Gllogjan, ku kishin mbetur të vdekur dy nxënës dhe shoferi i autobusit. Kurse, për armëmbajtje pa leje, Halil Mehmetaj u dënua me 3 vjet burgim, kurse Kreshnik Mehmetaj me 1 vit burgim.
Të tre- babait me dy të bijtë, Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj – akuzoheshin se, më 26 nëntor 2021, nën motivin e hakmarrjes, kanë shtënë me kallashnikov në drejtim të një autobusi në Gllogjan, ku mbetën të vrarë dy nxënës 17-vjeçarë dhe shoferi i autobusit.
Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj u liruan nga akuza për veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, kurse Halil Mehmetaj u lirua nga akuza për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”. Kastriot Mehmetaj u lirua nga akuza edhe për armëmbajtje pa leje.
Kurse, Halil dhe Kreshnik Mehmetaj u shpallën fajtorë për armëmbajtje pa leje. I pandehuri Halil për këtë vepër u dënua me 3 vjet burgim, kurse i pandehuri Kreshnik u dënua me 1 vit burgim.
Aktgjykimi u shpall të hënën njëzëri nga trupi gjykues i kryesuar nga kryetari Leon Përlaska dhe anëtarët Shaqë Curri dhe Arben Mustafaj.








