Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka bërë homazhe në memorialin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në New York.
Përmes një postimi në platformën “X”, Kurti tha se përkujtimi i kësaj date mbetet një përvojë e dhimbshme, ndërsa nënvizoi rëndësinë e sakrificës dhe qëndrueshmërisë së popullit amerikan.
“Vizita në memorial sot ishte veçanërisht prekëse. Është e vështirë të kuptosh se si një qytet kaq i gjallë dhe me ritëm të shpejtë u godit nga një shkatërrim kaq i madh.
Ky memorial nderon jo vetëm aktet e pashprehshme të trimërisë së njerëzve që shpëtuan njëri-tjetrin, por edhe humbjen e jashtëzakonshme: gati 3,000 jetë të humbura dhe dhjetëra mijëra që vazhdojnë të vuajnë nga sëmundje të lidhura me këtë ngjarje.
Megjithatë, ai qëndron gjithashtu si një kujtesë e qëndrueshmërisë, unitetit dhe shpirtit të Nju Jorkut dhe Shteteve të Bashkuara,” shkroi Kurti.
Kryeministri është duke zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme gjatë qëndrimit të tij në SHBA, përfshirë diskutime me përfaqësues të diasporës, politikës dhe investitorëve.









