Gjatë qëndrimit në New York, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me delegacionin, familjen Bytyqi, kryebashkiaken e Fairview City, Violetta Berisha, përfaqësues të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta te varrezat e tre vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, të vrarë nga aparati shtetëror serb më 1999.
“Ylli, Agroni dhe Mehmeti janë tre dëshmorë të kombit, janë tre shqiptarë, janë tre amerikanë, janë tre luftëtarë të lirisë, të cilët sakrifikuan gjithçka për lirinë që ne e gëzojmë dhe për shtetin që ne e kemi”, tha Kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti theksoi se 27 vjet pas përkundër që dihet e vërteta ende mungon drejtësia, për vrasjen mizore të tre vëllezërve Bytyqi, luftëtarëve të Batalionit Atlantiku.
Ilir Bytyqi, vëllai i Yllit, Agronit dhe Mehmetit falënderoi kryeministrin Kurti për vizitën dhe homazhet, duke thënë se prania e tij është tejet domethënëse për familjen.
“Faleminderit që i nderoni ata me praninë tuaj duke treguar se edhe pas shumë vitesh jeta dhe sakrifica e tyre vlen. Zoti ju bekoftë të gjithëve”, tha Bytyqi.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I dashuri Ilir, Sumeja dhe të gjithë familja Bytyqi,
Të nderuar ministra, kolegë nga Qeveria që keni ardhur nga Prishtina, Hekuran Murati i Financave, Lulëzon Jagxhiu i Digjitalizimit dhe Administratës Publike,
E nderuara kryetare Komunës së Preshevës, Ardita Sinani,
Deputet nga Bujanovci, Shaip Kamberi,
Ambasadorë të nderuar, Ilir Dugolli dhe Blerim Reka,
E nderuara kryebashkiake,
Të nderuar të pranishëm,
Vëllezër dhe motra,
Për neve është edhe nder që jemi bashkë me juve, por edhe pikëllim, për shkak se tre vëllezërit Bytyqi, Ylli, Agroni dhe Mehmeti, të cilët sot do të ishin rreth 50 vjeç, e në përfundim të luftës nuk ishin as 25 vjeç, ende kërkojmë drejtësi, ndërkohë që të vërtetën e dimë.
Varret e tyre janë varre, të cilat neve na mbushin me përgjegjësi, që bashkë me shtetin amerikan, si Republikë e Kosovës, të mos ndalemi, derisa ata që e urdhëruan vrasjen e tyre dhe ata, të cilët e ekzekutuan atë, të ndodhen prapa grilave dhe të gjykohen për krimin mizor.
Ylli, Agroni dhe Mehmeti janë tre dëshmorë të kombit, janë tre shqiptarë, janë tre amerikanë, janë tre luftëtarë të lirisë, të cilët sakrifikuan gjithçka për lirinë që ne e gëzojmë dhe për shtetin që ne e kemi
Secili brez ka për detyrë të bëjë krejt çfarë mundet edhe dinë, që botën qe e ka gjetur, që Kosovën që e ka gjetur, që shqiptarinë që e ka gjetur, ta shpijë më tutje, në mënyrë që gjeneratat që vijnë ta kenë edhe gjendjen më të mirë, por edhe mundësitë më të mëdha për përparim të mëtutjeshëm.
Pak çka fillon me neve dhe nëse diçka përfundon me neve, i takon brezave të tjerë të tregojnë. Ajo çfarë pritet prej nesh, është të jemi një hallkë sa më e fuqishme në zingjirin historik të kombit shqiptar.
Ne i kemi shembujt e flijimit. Tash, gjithnjë e më shumë i kemi institucionet shtetërore që t’i realizojmë qëllimet e përbashkëta, zhvillimin e rritjen ekonomike, progresin shoqëror e kulturor dhe mbrojtjen e sigurinë, e cila do të na ruajë territorin, sovranitetin, por gjithashtu edhe popullsinë e të drejtat e qytetarëve.
Lavdi Yllit, Agronit, Mehmetit dhe gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!








