Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të martën pranoi letër nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, si përgjigje në letër-urimin e dërguar me rastin e marrjes së detyrës muajin e kaluar.
Kryeministri Burnham tha se dy vendet gëzojnë partneritet të ngushtë dhe të qëndrueshëm, ndërsa theksoi se është krenar që Mbretëria e Bashkuar qëndroi me popullin e Kosovës që nga intervenimi i NATO-s më 1999 e deri te të qenit një nga shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës.
“Mbretëria e Bashkuar do të mbetet mbështetëse e fuqishme në aspiratat Euro-Atlantike të Kosovës, dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për të avancuar integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, përfshirë zgjerimin e mbështetjes për aplikimin e saj për Këshillin e Evropës dhe përparimin e vazhdueshëm në rrugën e saj drejt NATO-s”, shkroi kryeministri Burnham.
Ai, po ashtu, tha se shpreson në formim të shpejtë të Qeverisë së re, ashtu që të mund të thellohet bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve në fusha të interesit të përbashkët, si mbrojtja dhe siguria, tregtia dhe investimet, migracioni dhe forcimi i lidhjeve ekonomike.
“Shpresoj që një qeveri e re e Kosovës do të formohet shpejt në mënyrë që të mund të thellojmë bashkëpunimin midis dy vendeve tona mbi prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë mbrojtjen dhe sigurinë, tregtinë dhe investimet, trajtimin e migracionit të parregullt dhe forcimin e lidhjeve ekonomike. Si një mik i ngushtë i Kosovës, Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar fuqimisht ndaj sigurisë dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me Kosovën në mbështetje të një të ardhmeje më të qëndrueshme, të lidhur dhe të begatë për rajonin. Faleminderit përsëri për letrën tuaj, mezi pres të punoj ngushtë me ju për të forcuar më tej miqësinë dhe partneritetin midis dy vendeve tona”, thuhet në letër.








