spot_img
Tuesday, December 16, 2025
spot_img

Kriza në vend, deputeti gjerman: Është urgjentisht e nevojshme që në Kosovë të rikthehet sa më shpejt stabiliteti politik

Deputeti i Bundestagut nga SPD, Adis Ahmetoviq ka folur për mungesën e vëmendjes ndaj shqiptarëve në jug të Serbisë, për nevojën e drejtësisë për viktimat e Srebrenicës dhe për përfshirjen e Kosovës në agjendën evropiane.

Për DW, ai foli edhe për gjendjen aktuale politike në Kosovë.

Parlamenti i Kosovës është i bllokuar aktualisht dhe nuk po arrin të fillojë punën. Sa e dëmshme është kjo për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian?

Ahmetoviq: Si socialdemokrat, jam në kontakt të ngushtë me qeverinë e Kosovës. Albin Kurti dhe partia e tij janë parti simotra me SPD-në – të dyja i përkasin krahut të majtë progresist. Ne kemi një interes të madh për një qeveri stabile në Kosovë, një parlament funksional dhe punë parlamentare të rregullt. Për këtë arsye është urgjentisht e nevojshme që në Kosovë të rikthehet sa më shpejt stabiliteti politik. Nëse kjo arrihet dhe në vitet e ardhshme kemi një qeveri stabile – me një presidente shumë të vetëdijshme dhe përfaqësuese të shkëlqyer të kësaj demokracie të re –, siç është zonja Vjosa Osamani, atëherë çështje si anëtarësimi në Këshillin e Evropës, procesi i integrimit në BE dhe një anëtarësim i mundshëm në NATO duhet të jenë sërish në krye të agjendës. Këto çështje janë të ndërlidhura ngushtë. Dhe nëse të dyja palët – Kosova dhe BE-ja – bëjnë detyrat e tyre, unë jam i bindur se do të ketë një perspektivë shumë pozitive.

Shqiptarët në Luginën e Preshevës ankohen për margjinalizim – dhe se janë të prekur nga pasivizimi sistematik i adresave të tyre. Këtë javë ju keni pritur në Bundestag një delegacion nga Lugina e Preshevës. Çfarë morët me vete nga ky takim?

Ahmetoviq: Do të jem shumë i sinqertë – dhe unë jam një politikan që flet hapur: Situata e pakicës shqiptare në Serbi deri më sot nuk ka pasur vëmendjen e duhur, as në Gjermani e as në Bashkimin Evropian. Ne nuk e kemi parë mjaftueshëm situatën. Prandaj jam shumë mirënjohës që ky delegacion bëri një rrugë kaq të gjatë për të ardhur në Bundestag. Kur them “rrugë e gjatë”, nuk e kam fjalën për kilometrat, por për këmbënguljen. Ata kanë kërkuar takime vazhdimisht – nuk ka qenë e lehtë të gjejnë dëgjues. Ka pasur shumë organizata të ndryshme që kanë avokuar për këtë çështje, ndër të tjera edhe një shkencëtare nga Institutit Max Planck në Göttingen, e cila më konaktoi e më tha: “Z. Ahmetović, duhet ta shikoni këtë çështje.” Dhe jam i lumtur që e bëra. Nuk e kisha të qartë sa serioze dhe problematike është situata në terren. Çfarë mësova nga ky takim? Ne duhet të sigurohemi që të drejtat e pakicave të vlejnë kudo. Sa i përket pakicës shqiptare në Serbi, ka tre marrëveshje për të cilat Serbia është zotuar. Ato përmbajnë detyrime të qarta për integrimin e shqiptarëve në administratë, gjyqësor, polici dhe në përfaqësimin politik. Këto marrëveshje duhet të zbatohen – sepse janë parakusht për perspektivën e Serbisë drejt BE-së.

Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit shqiptarë nga Serbia e Jugut kërkojnë që çështja e tyre të përfshihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja. A e konsideroni këtë kërkesë legjitime?

Ahmetoviq: Pakica serbe në Kosovë ka të drejtë legjitime të kërkojë të drejtat e veta. Përse të mos vlejnë standardet që kërkon qeveria serbe për serbët në Kosovë edhe për shqiptarët në Serbi? Unë mendoj se këto standarde duhet të vlejnë për të gjitha pakicat – për pakicat në Serbi, si edhe për pakicat në Kosovë. Prandaj unë e gjej legjitime kërkesën e pakicës shqiptare në Serbi që të futet në agjendën e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës që moderon BE-ja. Unë e mora këtë kërkesë si detyrë për punën time dhe do ta adresoj.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit