Një operacion i gjerë i Njësisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit në Prizren, ku është arrestuar Hektor Avdyli, nipi i ish-deputetit Haxhi Avdyli.
Sipas burimeve të Sinjalit, me urdhër të gjykatës janë bastisur shtëpia e të dyshuarit dhe objektet përcjellëse, me qëllim gjetjen dhe sigurimin e provave që mund të lidhen me një hetim ndërkombëtar për vepra penale të natyrës kibernetike.
Gjatë aksionit janë sekuestruar, ose ka pasur përpjekje për sekuestrimin e pajisjeve elektronike, përfshirë kompjuterë, telefona të mençur, media digjitale dhe prova të tjera materiale që mund të kenë rëndësi për procedurën hetimore.
Burimet bëjnë të ditur se Hektor Avdyli dyshohet për përfshirje në veprimtari kriminale që kanë prekur shtetas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë dyshime për qasje të paautorizuar në sisteme kompjuterike dhe të dhëna bankare.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, i dyshuari pritet të intervistohet në interes të autoriteteve ligjzbatuese amerikane. Sipas të njëjtave burime, ndaj tij është lëshuar urdhër-arrest nga autoritetet kompetente të SHBA-së, megjithëse ky informacion ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga institucionet përkatëse.
Po sipas burimeve, nëse procedurat ndërkombëtare vijojnë, nuk përjashtohet mundësia që autoritetet amerikane të kërkojnë ekstradimin e tij, në mënyrë që ai të përballet me drejtësinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Deri në publikimin e këtij lajmi, Policia e Kosovës dhe Prokuroria nuk kanë publikuar ndonjë komunikatë zyrtare lidhur me këtë operacion.








