Kreu i forcave të armatosura të Britanisë së Madhe, Admiral Sir Tony Radakin, ka paralajmëruar se bota ndodhet në prag të një epoke të tretë bërthamore.
Sipas tij, bota është tërësisht e papërgatitur për shkak të mungesës totale të arkitekurës së sigurisë.
“Bota ka ndryshuar. Fuqia globale po zhvendoset dhe një epokë e tretë bërthamore është përpara nesh. Kjo epokë e tretë bërthamore, e cila është “në agim”, vjen nga dilema të shumta me teknologjitë bërthamore të përhapura dhe shkatërruese, dhe mungesa pothuajse totale e arkitekturave të sigurisë”, tha kreu i forcave të armatosura britanike, shkruan CNN.
Admirali Radakin ka theksuar gjithashtu se lufta e Rusisë në Ukrainë dhe konfliktet e shumta në Lindjen e Mesme kanë përmbysur stabilitetin global, duke shtuar se vendosja e trupave të Koresë së Veriut në kufirin e Rusisë me Ukrainën ishte “zhvillimi më i jashtëzakonshëm” i vitit.
Më tej theksoi se zhvillimet e fundit siç janë përdorimi i dronëve të furnizuar nga Irani dhe kërcënimet e Rusisë për të armatosur rebelët Houthi të Jemenit në hakmarrje ndaj mbështetjes së Ukrainës nga Perëndimi janë mjaft kritike për zhvillimet e luftës, e cila po merr tashmë përmasa globale.






