Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pas zhvillimeve të fundit nga Zyrja e Prokurorit të Specializuar.
Krasniqi ka thënë që veprimet e ndërrmara nga Specialja kanë tëndencë devijimi të së vërtetës së luftës tonë, shkruan Ballkani.info.
“Të gjithë e dijmë se lufta çlirimtare e popullit tonë ishte e drejtë, fisnike dhe e rrënjosur në të drejtën universale për liri dhe dinjitet. Çdo përpjekje për t’i dhënë tjetër kahje kësaj të vërtete, rrezikon të minojë jo vetëm legjitimitetin e drejtësisë, por edhe të cenojë trashëgiminë e një lufte të shenjtë për liri”, ka thënë ai.
Postimi i plotë:
Njoftimi i fundit nga Zyra e Prokurorit Special, se Presidentit Hashim Thaçi i është shtuar edhe një aktakuzë për pengim të drejtësisë, ndërsa ai tashmë ka katër vite që ndodhet në paraburgim, ngre shqetësime lidhur me qasjen dhe fokusin e këtyre procedurave gjyqësore.
Këto shqetësime thellohen më tej nga arrestimi i tri personaliteteve të tjera, si dhe nga fletëthirrja për paraqitje para Dhomave të Specializuara për z. Hajredin Kuçi.
Ne mbështesim fuqishëm parimet e drejtësisë dhe llogaridhënies, por një pyetje e thjeshtë dhe kritike ngrihet sonte: A po reflekton ky proces drejtësie paanshmërinë dhe profesionalizmin që Kosova, qytetarët e saj dhe çlirimtarët tanë në Hagë e meritojnë?
Të gjithë e dijmë se lufta çlirimtare e popullit tonë ishte e drejtë, fisnike dhe e rrënjosur në të drejtën universale për liri dhe dinjitet. Çdo përpjekje për t’i dhënë tjetër kahje kësaj të vërtete, rrezikon të minojë jo vetëm legjitimitetin e drejtësisë, por edhe të cenojë trashëgiminë e një lufte të shenjtë për liri.
Ne apelojmë që Dhomat e Specializuara të veprojnë me përgjegjësi maksimale! Vendimet e tyre duhet të mbështeten vetëm në fakte dhe parime ligjore. Drejtësia nuk duhet, asnjëherë, të përdoret si mjet për të rishkruar historinë apo për të kontestuar sakrificat e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës.
Kërkojmë drejtësi dhe vetëm drejtësi, derisa qëndrojmë fuqishëm kundër çdo veprimi që cenon këtë parim themelor dhe të paprekshëm për secilin qytetar të Kosovës.









