Praktika e ndjekur dhe e përseritur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në procesin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, për evidentimin e rezultateve të zgjedhjeve, tregon një devijim serioz nga dispozitat ligjore të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
Ky devijim nga KQZ, ka cenuar drejtpërdrejt integritetin e procesit zgjedhor, gjë që u dëshmua në disa Qendra Komunale të Numërimit (QKN), ku u evidentuan parregullsi të rënda në numërimin e votave të kandidatëve.
Ndonëse rinumërimi në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) u ndërmor pikërisht për shkak të dështimit të procesit të parë në QKN, KQZ nuk ndërhyri për ta korrigjuar shkakun e problemit.
Përkundrazi, ajo vazhdoi të aplikojë të njëjtën praktikë të paligjshme, duke ua lënë ekipeve numëruese jo vetëm numërimin e fletëvotimeve, por edhe regjistrimin e drejtpërdrejtë të rezultateve në sistemin elektronik, pa asnjë filtër të pavarur verifikimi.
Ligji për zgjedhjet e përgjithshme, jo vetëm në një rast, por në disa raste e kufizon qartësisht se rezultatet e çdo vendvotimi dërgohen për tabulim në QNR apo se futja e të dhënave dhe rezultateve bëhet në QNR.
Por, çka ndodhi saktësisht?
Neni 101 i ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, që rregullon procesin e numërimit të fletëvotimeve dhe shpalljen e rezultateve, i ndan qartë rolet dhe përgjegjësitë institucionale.
Ndonëse ligji ka ndarë rolet, duke mos lejuar numëruesin të bëjë tabulimin e rezultateve, por vetëm evidentimin apo regjistrimin e tyre në formularë, praktika e KQZ-së nuk ka ndjekur ligjin e zgjedhjeve.
Në pikën 4 të këtij neni thuhet se çdo komunë duhet të ketë një Qendër Komunale të Numërimit (QKN), ku bëhet pranimi i kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore, numërimi i fletëvotimeve dhe vlerësimi i votave për kandidatët, si dhe plotësimi i formularëve të rezultateve të kandidatëve për secilin vendvotim.
Pra, ky paragraf, kufizon rolin e QKN-ve deri vetëm në plotësimin e fomrularëve të rezultateve të kandidatëve.

Kjo bëhet më e qartë me pikën 13 e të njejtit nen, ku saktësohet se të dhënat për çdo vendvotim dërgohen për tabulim në Qendrën e Numërimeve dhe Rezultateve (QNR), menjëherë pas përfundimit të punës së çdo ndërrimi.
Në këtë pikë, ligji bën një dallim të qartë mes procesit të numërimit në QKN dhe procesit të futjes dhe tabulimit të të dhënave në QNR.
Por, në praktikë, kjo ndarje ligjore nuk është respektuar. Ekipet numëruese në Qendrat Komunale të Numërimit, pasi që kanë numëruar fletëvotimet, kanë futur vetë të dhënat drejtpërdrejt në sistem. Kjo do të thotë se futja e të dhënave nuk është bërë në QNR, siç e kërkon ligji, por në QKN, një praktikë që nuk ka bazë ligjore.
Ky veprim përbën një shkelje të qartë të Nenit 101 dhe ngrit pikëpyetje serioze për ligjshmërinë dhe sigurinë e procesit zgjedhor. Duke u dhënë ekipeve numëruese kompetenca që ligji nuk ua njeh, KQZ ka ndryshuar de facto procedurën zgjedhore pa ndryshuar ligjin.
Më problematike është pika 16 e Nenit 101, e cila përkufizon se rezultatet përfundimtare shpallen vetëm pasi të kenë përfunduar numërimi, futja e të dhënave në QNR dhe periudha e ankesave.

Pra, ky paragraf shprehimisht tregon se futja e të dhënave dhe rezultateve bëhet në QNR dhe jo në QKN.
Ndonëse këto detaje procedurale duken se janë formalitete burokratike, por në fakt, ato kanë qëllim për të garantuar numërimin e votave dhe që numëruesve të mos u jepet e drejta që votat që numërojnë t’i fusin vetë në sistem.
KQZ vazhdoi me shkeljet edhe në rinumërim në QNR
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndjekur praktikën e njejtë edhe në procesin e rinumërimit të 2 mijë e 557 vendvotimeve nga e gjithë Kosova. Ndonëse rinumërimi është bërë në ambientet e Qendrës për Numërim dhe Rezultate, as në këtë rast futja e rezultateve nuk ka ndjekur ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
Ashtu si në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) edhe në Qendrën për Numërim dhe Rezultate (QNR) futja e rezultateve në sistem është bërë nga personat e njejtë që kanë numëruar fletëvotimet. Pra, ekipet numëruese të fletëvotimeve, kanë evidentuar punën e tyre drejtpërdrejt në sistemin e rezultateve.
Pavarësisht se rinumërimi në QNR u bë për shkak të dështimit të numërimit të votave të kandidatëve në QKN, KQZ nuk evitoi problemin, por vazhdojë të ndjekë praktikën e njejtë, ku ekipet numëruese të fletëvotimeve, regjistruan punën e tyre apo numërimin e votave në sistemin e rezultateve.
Devijimi nga ligji filloi në zgjedhjet e 9 shkurtit
Praktika e lejimit të ekipeve numëruese që përveç numërimit të fletëvotimeve, të regjistrojnë vetë edhe rezultatet në sistemin elektronik nuk është një fenomen i izoluar i zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Ajo është vendosur për herë të parë gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.
Prej atëherë, futja e të dhënave në sistem u bë nga të njejtet persona që kishin kryer numërimin e fletëvotimeve, duke e reduktuar rolin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve në një funksion formal, pa verifikim real dhe pa kontroll të pavarur. Në vend që kjo praktikë të korrigjohej pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, KQZ e institucionalizoi atë, duke e zbatuar sërish në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe madje edhe në procesin e rinumërimit.








