Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rekomandimin për krijimin e komisionit që do të merret me procesin zgjedhor të 9 nëntorit në Mitrovicë të Jugut.
Vendimi u miratua me nëntë vota pro dhe dy kundër, të cilat erdhën nga anëtarët e PDK-së në KQZ.
Në këtë komunë, të hënën ishte ndërprerë numërimi i votave në Qendrën Komunale të Numërimit, pas dyshimeve për manipulim dhe keqpërdorim të votave.
Gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së, kryetari i këtij institucioni, Kreshnik Radoniqi, njoftoi se PZAP ka kërkuar përgjigje për disa fletëvotime specifike, për të cilat kompania CETIS, që ka shtypur fletëvotimet për zgjedhjet lokale në Kosovë, kishte raportuar gabime në shtypje.
Sipas Radoniqit, KQZ mund t’i japë përgjigje PZAP-së vetëm nëse hapen kutitë e votimit në Mitrovicë, prandaj dhe u vendos formimi i komisionit të ri që do të merret me këtë proces.









