Kosova ka shënuar rënie në treguesin e sundimit të ligjit, sipas raportit të organizatës ndërkombëtare World Justice Project, të publikuar më 21 tetor.
Sipas raportit, Kosova ka marrë 0.56 pikë nga maksimumi prej 1.00 dhe është renditur në vendin e 59-të, nga gjithsej 143 vende dhe juridiksione të përfshira në vlerësim.
Krahasuar me vitin 2025, rezultati i Kosovës ka rënë për 0.3 për qind, ndërsa pozita e saj në renditjen globale ka mbetur e pandryshuar.
Në krahasim me vendet e rajonit, Kosova renditet më mirë se Shqipëria, e cila ka marrë 0.48 pikë dhe është pozicionuar në vendin e 91-të, Serbia me 0.46 pikë në vendin e 95-të, si dhe Maqedonia e Veriut me 0.54 pikë në vendin e 65-të.
Ndërkaq, Mali i Zi ka shënuar rezultat më të lartë se Kosova, me 0.57 pikë, duke u renditur në vendin e 57-të.








