KOSOVA NUK ËSHTË PLAÇKË E PARTIVE: KUR KARRIGJA BËHET MË E SHENJTË SE SHTETI

Nga Ismet Haziri

Një klasë politike që lufton për pushtet, ndërsa institucionet mbeten peng, rrezikon të harrojë arsyen për të cilën ekziston vetë politika: shtetin dhe qytetarin.

Ka ardhur koha që dikush t’ua thotë hapur politikanëve tanë atë që qytetarët e thonë çdo ditë në kafene, në familje e në rrugë: Kosova nuk është pronë e partive politike dhe mandati i deputetit nuk është biletë për interesa personale.

LDK-ja, një nga subjektet që ka pasur rol historik në rrugëtimin politik të Kosovës, duhet ta bëjë një llogari me veten. Ku është misioni i saj historik? Ku është përgjegjësia shtetërore? Ku është vizioni për të ardhmen?

Nëse deputetët e saj paraqiten si “truri” i partisë, qytetari ka të drejtë të pyesë: si është e mundur që ky “truri” nuk po arrin ta bindë elektoratin? Pse LDK-ja nuk po ecën përpara në përqindje? Pse nuk po e rikthen besimin e qytetarëve? Ndoshta sepse qytetari nuk voton më vetëm për emra, tituj e histori. Ai po kërkon rezultate.

Edhe Avdullah Hoti e ka pasur shansin e tij. Ka pasur merita dhe nuk është e drejtë t’i mohohen ato. Por ai gjithashtu duhet të gjykohet politikisht për atë që ka bërë dhe për atë që nuk ka bërë. Për një kohë të gjatë ka qenë nën hijen politike të Isa Mustafës, si në Prishtinë, ashtu edhe në qeverisje. Prandaj, sot nuk mjafton të thirret vetëm në të kaluarën. Politikanët duhet të maten me rezultatet e tyre.

Por problemi nuk është vetëm LDK-ja.

Problemi është një klasë politike që, sa herë afrohet te pushteti, harron pse është votuar.

Çfarë shteti është ky kur institucionet mbahen peng nga kalkulimet partiake? Çfarë demokracie është kjo kur interesat e partisë vendosen mbi funksionimin normal të shtetit?

Kosova nuk mund të qeveriset pafundësisht me institucione të përkohshme, me bllokada, me pazare politike dhe me vendime që shtyhen nga një krizë në tjetrën. Një shtet serioz duhet të ketë institucione legjitime, parlament funksional, qeveri me kontroll demokratik dhe përfaqësim dinjitoz jashtë vendit.

Nuk mund të kërkojmë respekt nga bota kur vetë nuk dimë ta respektojmë shtetin tonë.

Dhe pastaj çuditemi pse qytetari humb besimin.

Kush po e paguan çmimin e kësaj papërgjegjësie? Jo deputeti. Jo kryetari i partisë. Jo ministri. E paguan qytetari.

E paguan i riu që largohet nga Kosova. E paguan biznesi që pret institucione funksionale. E paguan familja që kërkon një shtet normal. E paguan Kosova, e cila në vend se të merret me zhvillim, integrim dhe forcim të pozitës së saj ndërkombëtare, vazhdimisht merret me krizën e radhës politike.

Dhe pyetja më e dhimbshme është: pse shqiptarët vazhdojnë të bien në të njëjtën grackë?

Përçarje, inate, bajraktarizëm, luftë për poste dhe interesa personale.

Kemi kaluar shekuj duke luftuar që të kemi një shtet, ndërsa sot disa politikanë sillen sikur shteti është thjesht një plaçkë që ndahet pasi të fitohet pushteti.

Kjo duhet të marrë fund.

Na duhet një politikë tjetër. Na duhen njerëz që nuk shkojnë në parlament për të bërë karrierë personale, por për të bërë shtet. Na duhen deputetë që e dinë se vota e qytetarit është amanet dhe përgjegjësi, jo pasuri private.

Dhe në fund, përgjegjësia është e jona.

Populli ka votën. Populli ka fuqinë.

Nëse një politikan nuk e ka kryer detyrën, nuk duhet të shpërblehet me një mandat tjetër vetëm pse ka emër, parti, lidhje apo histori politike.

Nuk ka nevojë për dhunë. Nuk ka nevojë për urrejtje. Ka nevojë për një gjë shumë më të fuqishme: votën e qytetarit.

Në zgjedhje, ata që e kanë keqpërdorur besimin duhet të shkojnë në shtëpi. Ata që kanë punuar për shtetin duhet të marrin mbështetjen e qytetarëve.

Sepse një demokraci që nuk di t’i ndëshkojë politikanët e këqij, përfundon duke i prodhuar përsëri e përsëri.

Kosovës nuk i duhen më politikanë që luftojnë për karrige. I duhen burra e gra që luftojnë për shtetin.

Dhe nëse partitë nuk e kuptojnë këtë, atëherë është koha që ta kuptojë populli.

Karriget e tyre janë të përkohshme. Kosova është e përhershme

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit