Kosova është përfshirë në zonën me nivelin më të lartë të rrezikut (Niveli 3) në parashikimin e publikuar nga Qendra Evropiane për Parashikimin e Stuhive (ESTOFEX), që paralajmëron një shpërthim të fuqishëm të motit ekstrem gjatë së martës dhe deri në orët e para të së mërkurës.
Sipas ESTOFEX, niveli 3 i alarmit është shpallur për pjesë të Italisë, Kroacisë jugore, Bosnjës jugore, Malit të Zi dhe Kosovës, kryesisht për shkak të rrezikut nga breshëri shumë i madh, erërat shkatërruese dhe në një masë më të vogël, tornadot.
Në analizën e publikuar, meteorologët e ESTOFEX paralajmërojnë se situata atmosferike mund të rezultojë në një nga episodet më të fuqishme të motit ekstrem në rajon këtë verë.

Për rajonin ku bën pjesë edhe Kosova, parashikohen kushte shumë të favorshme për zhvillimin e stuhive, të cilat mund të sjellin breshër shumë të madh, erëra me potencial shkatërrues dhe, në raste të izoluara, edhe tornado.
Sipas meteorologëve, ekziston mundësia që stuhi të fuqishme të formuara mbi Detin Adriatik të lëvizin drejt Ballkanit dhe të ruajnë intensitetin e tyre edhe mbi territorin e Kosovës.
ESTOFEX thekson se aktiviteti i stuhive mund të vazhdojë deri në orët e vona të mbrëmjes dhe gjatë natës, me disa valë reshjesh dhe moti ekstrem.
Megjithatë, niveli 3 i rrezikut nuk do të thotë se çdo pjesë e Kosovës do të goditet nga fenomene të rënda, por se kushtet atmosferike janë shumë të favorshme që stuhitë që zhvillohen të jenë jashtëzakonisht të fuqishme.
Qytetarëve u rekomandohet të ndjekin paralajmërimet e institucioneve zyrtare meteorologjike dhe të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë kalimit të stuhive të forta.
Ndryshe, Telegrafi ka provuar të marrë edhe një qëndrim nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës rreth këtij paralajmërimi por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi pranuar përgjigje.








