KOSOVA MBI TË GJITHA – NË KËTO MOMENTE NA DUHET UNITETI!

Nga Ismet Haziri

Jemi në momente të ndjeshme për Kosovën. Këto momente kërkojnë maturi në veprim, por edhe përgjegjësi të jashtëzakonshme në retorikë. Kosova nuk e ka luksin e përçarjeve, akuzave dhe luftërave politike. Secili prej nesh duhet të mendojë disa herë para se ta nxjerrë një fjalë nga goja, sepse sot çdo fjalë peshohet dhe çdo veprim mund të ketë pasoja.

Barrën më të madhe e bart klasa politike. Subjektet politike duhet të jenë në bashkërendim të vazhdueshëm dhe të komunikojnë çdo ditë për çështjet që prekin interesin e Kosovës. Në momente të tilla, dallimet politike nuk duhet të na pengojnë që, për çështjet e interesit shtetëror, të flasim me një zë dhe të veprojmë me përgjegjësi. Kosova duhet të jetë mbi interesat partiake dhe mbi çdo inat personal.

Edhe debatet televizive duhet ta kuptojnë peshën e këtij momenti. Nuk mund të jetë që në ekran të kemi orë të tëra përplasje, akuza, fyerje, ngritje zëri e madje edhe përshkallëzim deri në konflikt fizik, ndërsa qytetari të mos dëgjojë pothuajse asnjë ide konkrete për zgjidhje. Analisti që del në publik duhet të sjellë argument, alternativë dhe rrugëdalje, jo vetëm konflikt. Kosovës nuk i duhet më shumë zhurmë; i duhen më shumë ide. Nuk i duhen më shumë përçarje; i duhen më shumë zgjidhje.

Në mesin e vlerave më sublime që kemi është lufta e UÇK-së, e cila sublimon përpjekjet e brezave për lirinë që ne e gëzojmë sot. Jakupi, Hashimi, Rexha dhe Kadrija janë bij të këtij populli dhe emrat e tyre lidhen me një kapitull të rëndësishëm të historisë sonë të re.

Procesi në Hagë është një moment me peshë të veçantë. Ne dëshirojmë dhe besojmë se katërshja e UÇK-së duhet ta fitojë këtë betejë juridike dhe se drejtësia duhet të triumfojë mbi çdo akuzë që nuk mund të dëshmohet me prova. Nëse kjo është një betejë për drejtësinë, atëherë ky është edhe momenti që ne si Kosovë të bëjmë gjithçka që është e ligjshme, institucionale dhe e përgjegjshme për ta mbështetur një proces të drejtë. Jo me presion mbi drejtësinë, jo me akuza të pamatura, por me fakte, argumente, dokumente dhe dinjitet.

Duhet të bëjmë çdo përpjekje që të mos u japim kënaqësi atyre që presin të na shohin të përçarë. Por kjo nuk do të thotë të mohojmë drejtësinë apo të bartim faj kolektiv. Çdo rast duhet të gjykohet mbi prova dhe përgjegjësia duhet të jetë individuale. Nuk mbrohet Kosova duke ikur nga e vërteta; Kosova mbrohet duke e përballur të vërtetën me fakte dhe me dinjitet.

Historia jonë duhet të mbrohet me përgjegjësi. Lufta e UÇK-së duhet të trajtohet mbi bazën e fakteve historike, ndërsa çdo akuzë penale duhet të provohet para drejtësisë. Këto dy gjëra nuk duhet t’i përziejmë.

Prandaj, sot më shumë se kurrë na duhet maturi. Na duhet unitet. Na duhet bashkërendim institucional e politik. Na duhen media dhe debate që prodhojnë ide, jo përplasje. Na duhen njerëz publikë që e kuptojnë se fjala e tyre mund të ndërtojë, por edhe të dëmtojë.

Kjo nuk është koha për ta pyetur se kush fitoi një debat televiziv. Është koha të pyesim se çfarë fiton Kosova.

Dhe nëse Kosova duhet të fitojë, atëherë secili prej nesh duhet ta vendosë Kosovën mbi egon, mbi inatin, mbi interesin partiak dhe mbi përçarjen.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit