Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë me Emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, pas sulmeve të synuara të Iranit ndaj këtij shteti.
Përmes një reagimi publik, Osmani ka dënuar ashpër veprimet e regjimit iranian, duke i cilësuar ato si kërcënim të qartë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
“Aksionet e regjimit iranian përbëjnë një kërcënim të qartë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, ka theksuar ajo.
Presidentja ka konfirmuar se Kosova qëndron në solidaritet të plotë me Katarin dhe popullin e tij, duke mbështetur të drejtën e këtij shteti për të mbrojtur sovranitetin.
“Kosova qëndron në solidaritet të palëkundur me Katarin dhe popullin e tij. Ne e mbështesim plotësisht të drejtën e Katarit për të mbrojtur sovranitetin e vet dhe riafirmojmë përkushtimin tonë për stabilitet rajonal dhe paqe të qëndrueshme”, ka deklaruar Osmani.









