Tre zyrtarë të një kantieri detar në Korenë e Veriut janë arrestuar pas një incidenti të rëndë gjatë ceremonisë së nisjes së një luftanije të re, raportojnë mediat shtetërore.
Sipas agjencisë shtetërore KCNA, gjatë nisjes së shkatërruesit 5000 tonësh të mërkurën, pjesë të poshtme të anijes u dëmtuan rëndë, duke e nxjerrë atë jashtë ekuilibri. Ngjarja ndodhi në kantierin Chongjin në veri të vendit.
Të arrestuarit janë identifikuar si kryeinxhinieri i kantierit, kreu i ndërtimit dhe një menaxher administrativ, të cilët janë shpallur përgjegjës për aksidentin. Ndërkohë, drejtori i kantierit, Hong Kil Ho, është thirrur nga autoritetet për t’u marrë në pyetje, transmeton BBC.
Pamjet satelitore të publikuara tregojnë se luftanija është anuar në një anë dhe pjesërisht ka përfunduar në tokë, ndërsa ishte e mbuluar me goma blu për mbrojtje. Megjithatë, nuk raportohet për vrima të mëdha apo viktima.
Udhëheqësi Kim Jong Un e quajti aksidentin një “vepër kriminale”, të shkaktuar nga “pakujdesia absolute dhe empirizmi joshkencor”, duke paralajmëruar trajtim të rreptë për përgjegjësit në një mbledhje plenare që do të mbahet muajin e ardhshëm.






