Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka komentuar vizitën në Zyrën e Kryeministrit të Fehim Saliut, i cili është i dyshuar për spiunazh.
Konjufca ka thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë pasur kapacitet për ta vërtetuar identitetin e tij në kohën kur ai ishte pjesë e një delegacioni që kishte vizituar institucionet.
Sipas tij, Saliu kishte qenë pjesë e një delegacioni prej shtatë apo tetë personash.
“Institucionet nuk kanë pasur kapacitet me e vërtetu kush ka qenë ai. Ka qenë pjesë e një delegacioni prej 7-8 vetash”, tha Konjufca.
Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, Sali dyshohet se për një periudhë të pacaktuar deri më 13 gusht i ka ofruar vazhdimisht informacione dhe ndihmë Shërbimit Inteligjent të Serbisë (BIA), me qëllim të përfitimit material.
Prokuroria thotë se ai i ka ofruar BIA-s informacione për situatën politike në Kosovë, ka fotografuar dhe identifikuar zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si dhe ka ofruar të dhëna për persona që, sipas Prokurorisë, i përkasin sektit vehabi.
Disa prej këtyre personave, thuhet në kërkesë, Sali i ka propozuar si objektiva të mundshëm për kontaktim dhe rekrutim.








