Konjufca e futi në ‘arkivol’ dialogun me Serbinë, por Lajçak po ‘përvjel mëngët’ për rivazhdim të tij

Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se pas Prishtinës do të vizitojë Beogradin, për të përgatitur takimin e radhës në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.

Duke përmbledhur zhvillimet e javës së kaluar, Lajçaku në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka dhënë detaje edhe për takimin që pati në Kosovë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

“Me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi, diskutova për zhvillimet e fundit gjatë verës, agjendën e takimit të ardhshëm të kryenegociatorëve dhe qasjet se si të trajtohen disa nga çështjet aktuale, si dhe hapat e ardhshëm drejt zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt Normalizimit.

Më pas do të shkoj në Serbi në përgatitje të takimit të radhës në kuadër të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar ai në Facebook.

Mes të tjerash, ai përmendi edhe pjesëmarrjen në Forumin Strategjik të Bledit, ku liderë nga e gjithë Evropa u mblodhën për të diskutuar sfidat urgjente globale.

E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë, u deklarua para gazetarëve për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ku ka thënë se aktualisht dialogu ndodhet në një ‘qorrsokak’ dhe nuk ka shumë rrugëdalje.

Konjufca e ka përmendur sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, si arsye e kollapsit të dialogut, duke thënë se “ishte gozhda e fundit në dialogun e Brukselit“.

“Unë mendoj që dialogu në formatin qysh ka qenë në vitin 20211, e ka pasë arkivolin më 24 shtator të vitit të kaluar“, deklaroi Konjufca.

Konjufca nuk kurseu kritika e akuza ndaj bashkësisë ndërkombëtare, e cila sipas tij është e njëanshme.

Sipas Konjufcës, bashkësia ndërkombëtare nuk po punon në mënyrë të barabartë ndaj dy shteteve, duke shtuar se as nuk është e përcaktuar se çka dëshiron.

“I takon bashkësisë ndërkombëtare të jetë shumë ma e përcaktuar se çka po dëshiron. Nëse dëshiron palë të barabarta, si dy shtete, nëse dëshiron, edhe ende mendon që principi i marrëveshjes të Ohrit me funksionu ashtu qysh shkruan….“, deklaroi ai.

Presidenca serbe sot gjatë ditës konfirmoi vizitën e Miroslav Lajçak në Serbi, ku nesër nga ora 10:00 ai do të takohet me presidentin Vuçiq.

Bashkimi Evropian së fundi ka përsëritur thirrjet ndaj autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar, që sipas BE-së, mund të rrisin tensionet në veriun e banuar me shumicë serbe.

BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Gjermania kanë kritikuar Kosovën për, siç kanë thënë, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, në veriun e banuar me shumicë serbe. Këto kritika janë bërë pasi më 30 gusht, Kosova mbylli pesë institucione që funksiononin sipas sistemit serb.

Sipas zyrtarëve shtetërorë në Kosovë, ato institucione kanë shkelur kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Institucionet e mbyllura më 30 gusht ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.

Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit