Në janar të vitit 1990, pas fundit të diktaturës së “akademikut” Çaushesku në Rumani, i detyruar nga situata dhe gjendja e përgjithshme katastrofike që ishte në Shqipërinë e Enver Hoxhës pa Enver Hoxhën, mblidhet KQ i PPSH, i cili edhe në këtë mbledhje nuk e pranoi pluralizmin, por pranoi zbythjen dhe proklamoi “zemërgjerësinë” e tij “të parë”: “Kooperativave bujqësore, familjeve kooperativiste t’u lejonin të mbanin dy qengja të seksit mashkull”.97) Afro katër muaj pas “reformës së qengjave” dhe ngjarjet politike që zhvilloheshin vrullshëm në Europën Lindore, në prill të vitit 1990 mblidhet Plenumi i 10-të i KQ të PPSH, i cili nga presioni i gjithanshëm, “hoqi në Shqipëri dënimin me vdekje për shkelësit e kufirit” dhe “vendosi të rifillojë punë Ministria e Drejtësisë”, një emër që tashmë shqiptarët e kishin harruar. Ndërsa nga fund qershori i vitit 1990, frika u mposht. Të rinjtë çajnë murin rrethues të ambasadës italiane, strehohen në të dhe kërkojnë azil politik. Më 4 korrik të vitit 1990, shpërthejnë demonstrata të fuqishme, hapen me forcë dyert e ambasadave, demonstruesit strehohen në to e kërkojnë azil politik. Më 12 dhjetor të vitit 1990, Presidenti i fundit komunist i Shqipërisë, i detyruar shpall pluralizmin politik dhe “njofton” fundin e diktaturës komuniste në Shqipëri. Më 20 shkurt të vitit 1991, demonstruesit e irrituar heqin monumentin e Enver Hoxhës nga sheshi qendror i Tiranës.
Në zgjedhjet e 31 marsit 1991, zgjedhje të parat pasdiktatoriale, në zonën elektorale ku kishte vënë kandidaturën presidenti Ramiz Alia, fitoi një inxhinier i panjohur. Kështu, Perandoria e frikës dhe e gënjeshtrës edhe në Shqipëri vdiq, duke lënë pas imazhin e pashlyer, burgjet, kampet e përqendrimit, varfërinë, cinizmin, urrejtjen e të tjera, të cilat do ta ndjekin pas popullin tonë edhe për dekada, në rrugën drejt demokracisë. Dhe po kujtoj konkluzionin e shkrimtarit të madh disident Juvtushenko, i cili shkruan se “u trondita shumë kur zbrita në Shqipëri, sepse pashë një vend ku pasojat e diktaturës mund të krahasoheshin vetëm me Kamboxhian”.
Pasi Enver Hoxha kishte eliminuar çdo vlerë që trashëgoi shqiptari në shekuj, pasi sulmoi pronën e likuidoi prodhimin, pasi deformoi edhe vetë njeriun, pasi kishte vrarë e kishte prerë të gjitha kokat e kombit, në gjysmën e qeverisjes të tij, ai i u sul edhe fesë, vetë Zotit se edhe ai i “bënte karshillëk”. Duhet të ishte vetëm “Ai”, udhëheqësi “i dashur i partisë dhe i popullit”, udhëheqësi që rrinte me jatagan nën “veladon” dhe nuk duhej të kishte tjetër në Shqipërinë politike veç “Atij – Njëshit”, vetë Enver Hoxhës. Si mundet egoizmi i tij të duronte mbi kokë Zotin?!
Sipas propagandës së Enver Hoxhës, njerëzit duhet të betoheshin vetëm për të e jo për Zotin. Dhe kjo në fakt, e kishte bazën që nga pas Çlirimi për të mos thënë që nga Lufta apo nga teoria e tyre marksiste, që u kurorëzua plotësisht si revolucionarizim dhe antifetare në vitet 1966-1967. Jo se më parë Enver Hoxha nuk i kishte sulmuar fetë, por në këto vite, nisi ajo që u quajt megjithmend luftë kundër feve dhe ato u ndaluan edhe me ligj.
Revolucioni
Enver Hoxha pasi ishte “frymëzuar” edhe nga Revolucioni Kulturor kinez, më 6 shkurt të vitit 1967 mban një fjalim, që atëherë propaganda e quajti programatik, me anë të cilit ai synonte të ngrinte në këmbë masat e popullit, njëlloj siç po bënte në Kinë edhe Mao Ce Duni me Revolucionin e tij Kulturor. Madje Enver Hoxha braktisi në atë periudhë edhe “republikën” dhe vendosi në kokë “beretën” kineze allamaocedunëse.
Nga fjalimi i Enver Hoxhës i 6 shkurtit të vitit 1967, nisi etapa më tragjike e një populli të tërë, atij shqiptar, nisi kalvari deri në kryqëzim. Siç tregoi më vonë historia, komunizmi ateist u përpoq të edukoi një brez të tërë pa ndërgjegje, me ideale çnjerëzore, me mungesën e lirisë për personin, me mohimin e lirisë së tjetrit, pra futi apo u përpoq të fusë në shoqëri frymë që nuk ishte as e mbarë, as kombëtare. Nuk kishte si te ndodhte ndryshe kur injoranca me vetë Enver Hoxhën në krye, shtypte tërë këtë popull. Këtë e përligjin vetë të dhënat e partisë, ku thuhet se në vitin 1948 partia nga numri total prej 29.137 anëtarë, kishte 533 analfabetë përfshi edhe vetë zv.Kryeministrin Myslim Peza, 5.684 anëtarë pa shkollë, 18.185 me shkollë fillore, 4.329 me shkollë të mesme 328 studentë dhe vetëm 68 anëtarë partie me shkollë të lartë. As Enver Hoxha nuk kishte shkollë të lartë.
Me mendjen dhe “dorën” e injorantëve të mësipërm, Enver Hoxha sundoi si Zot. Dita, 6 shkurti e vitit 1967, kur Enver Hoxha mbajti fjalimin me të cilin ai filloi luftën kundër “ideologjisë fetare” e “zakoneve prapanike”, gjë e cila solli më vonë edhe shpalljen me ligj të Shqipërisë si vend i parë dhe i vetëm ateist në historinë botërore. Ky veprim i sundimit të Enver Hoxhës ishte despotik dhe padyshim u përqesh në medien botërore të kohës dhe më vonë sepse ky vendim i regjimit komunist shqiptar, pati mbi shoqërinë pasoja të mëdha, të cilat ndihen ende.
Arrestimet
Inteligjenca shqiptare e shkolluar në Perëndim e dinte që para Luftës, por edhe populli aty këtu e kishte marrë vesh, se ideologjia komuniste do ta hiqte fenë, duke tentuar gjithnjë të mbivendosej mbi të. Që në vitet e para të pushtetit, pa keqardhjen më të vogël, ai firmoste urdhra arrestimi e pushkatimi, duke u kthyer në një farë mënyre si një Zot, që kishte në duar fatin e jetës së të gjithë njerëzve.
Pas fjalimit thirrje të Enver Hoxhës kundër fesë, sektori i edukimit të partisë nxori një raport informativ mbi rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe disa masa, që u morën për çrrënjosjen e saj. Ky raport gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit dhe mbi këtë shënohet nga Enver Hoxha edhe fillimi i luftës së hapur të sulmit komunist kundër fesë, duke e lidhur veprimtarinë e tyre me elementë armiqësorë, ku edhe u përqendrua fronti i luftës kundër fesë. Në vitin 1967 nis periudha më e errët për besimtarët, ku shënohen persekutimet më të egra të diktaturës ndaj feve e klerikëve. Dy “urdhra” në formë udhëzimesh nxori vetë Enver Hoxha për eliminimin e feve në Shqipëri, njërin në prill të vitit 1967 dhe 4 muaj pas të parit, nxori tjetrin në shtator po të atij viti. Në urdhrin e parë thuhej se “…luftën tonë kundër fesë ne duhet ta drejtojmë qoftë kundër dogmës fetare vetë, kundër pikëpamjeve filozofike, idealiste e mistike të saj, ashtu edhe kundër disiplinave fetare, që kanë hyrë deri në zakonet e përditshme të atyre që besojnë, bile edhe të atyre që nuk besojnë, por që i zbatojnë nganjëherë pa i ditur, pa bërë kujdes.
Ne nuk u kemi lënë asnjë shkollë, qoftë edhe të ulët, për të nxjerrë klerikë të rinj dhe për t’u dhënë këtyre një edukatë të rregullt dhe të interpretuar të doktrinës së tyre fetare. Kështu që klerikët e çdo besimi kanë shteruar dhe do të shterojnë edhe ca më shumë si kuadro. Kurse për sa i përket shtypit të librave, të dogmave të tyre, kjo ka vdekur me kohë për ta… bazën materiale dhe propagandistike për shumëzimin e librave fetare e kemi zhdukur. Ne kemi zhdukur gjithashtu mundësinë e nxjerrjes së kuadrove. Tash është çështja t’u prishen kishat dhe xhamitë, të vetmet mjete kryesore ku klerikët grumbullojnë besimtarët për të mbajtur gjallë besimin. Në këto forma duhet të vazhdojmë ne, përderisa t’i rrafshojmë nga faqja e dheut…”.
Urdhrat
Ndërsa me Urdhrin e parë Enver Hoxha lëshon ultimatumin se si duhet bërë me objektet e njerëzit fetarë, në Urdhrin e dytë ai bën edhe një fare bilanci 3-4 mujor dhe pas kësaj urdhëron edhe se si duhet çuar më tej lufta kundër fesë, çka tregon se “…në një kohë relativisht të shkurtër janë mbyllur të gjitha kishat, xhamitë, teqetë, tyrbet, vakëfet etj. “Lufta kundër fesë, thuhet në një informacion tjetër, duhet të trajtohet edhe sipas krahinave të vendit, sipas fshatrave, lagjeve e familjeve të veçanta, sepse edhe shkalla e besimeve fetare është e ndryshme.
Në secilin prej rretheve kanë vepruar disa fe. Por midis tyre ka dallime, sepse diku ka vepruar më shumë një fe sesa një tjetër. Një pjesë e krahinave të Veriut, si Shkodër, Lezhë, Mirditë, historikisht feja katolike ka pasur influencë të madhe. Kjo duket edhe nga numri i kishave katolike që ka pasur. Kështu në Shkodër, numri i tyre arrinte në 67, në Lezhë dhe Mirditë nga 24. Në disa krahina të Jugut, si minoriteti (Sarandë, Gjirokastër), një pjesë e Korçës, Kolonjës, Vlorës, Fierit, Beratit e Lushnjës, Durrësit etj., feja ortodokse ka pasur një influencë të madhe. Në Korçë ka pasur 132 kisha të mëdha e të vogla, në Gjirokastër 86, në Sarandë 21, në Kolonjë 90, në Vlorë 31, në Fier dhe Lushnjë nga 40 etj. Feja myslimane ka qenë më e përhapur në zonat e Elbasanit, Gramshit, Librazhdit, Dibrës, Kukësit, Tiranës, Burrelit etj.. Kështu, në Dibër kishte 122 xhami, në Burrel 70, Librazhd 50 etj. Në Tepelenë, Përmet, Skrapar, Krujë dhe rrethin e B. Currit, influencë më të madhe kanë pasur dervishët (shehlerët) si sekt i fesë myslimane…”.
Alarmi
Nga ana historike duhet thënë se, në fakt, komunistët do ishin kundra fesë dhe pak a shumë dihej se çdo të vinte pas ardhjes së tyre në pushtet. Pra, alarmi ishte dhënë me kohë, që në vitet 30 -të. Që në vitin 1925 dijetari fetar Hafiz Ali Korça në librin e tij “Bolshevizma është çkatërrimi i njerëzimit”, do të shkruante me pathos e vërtetësi, fjalët që i mbetën lapidare: “Bolshevizma s’pajtohet kurrë/ Me dinin e Muhamedin/ Çelët do ta kemi luftën/ Gjer në ditën e Kijametit”.105)
Dhe doli fjala e klerikut Korça si edhe fjalët e shumë klerikëve të tjerë të shquar shqiptarë, që me të ardhur në pushtet sundimi totalitar, filloi një luftë të paparë ndaj fesë. Kështu si shumë drejtues të tjerë fetarë, edhe ndaj elitës myslimane e katolike, filloi një goditje e parapërgatitur, duke arrestuar dhe dënuar drejtuesit dhe pedagogët e medresesë e të seminareve apo kolegjeve kishtare.
Goditja
Enver Hoxha e përqendroi goditjen kryesisht në elitën fetare. Disa prej figurave më përfaqësuese publike të myslimanëve shqiptarë, i dënoi me vdekje midis një histerie popullore në sallën e gjyqit dhe jashtë, duke i përcjellë akuza dhe shpifje banale me megafon e radiotransmetim, me gazeta etj., me qëllim për të mbjellë terror në të gjithë popullin. Shumë prej këtyre figurave klerikësh ndërruan jetë nëpër burgje, siç ishte edhe myftiu i Durrësit Mustafa Varoshi. Nuk duhet harruar se te gjithë këto, ishin të shkolluar në universitetet më të mira të botës islame dhe një pjesë e tyre ishin edhe firmëtarë të pavarësisë dhe personalitete të shquara kombëtare, siç ishte edhe mësuesi i medresesë dhe eruditi Ferit Vokopola.
Krahas këtij, ndër figurat më të shquara mund të përmendim, Hafiz Ali Korça (Drejtor Arsimi, Kryemyfti, publicist, shkrimtar e poet, burgosur në vitin 1945), Hafiz Ibrahim Dalliu (themelues i shkollave shqipe në Tiranë, burgosur në vitin 1946), Hafiz Ismet Dibra, (drejtor i Medresesë së Përgjithshme Tiranë, burgosur në vitin 1946), Hafiz Sabri Koçi (burgosur në vitin 1966, bëri 20 vjet e 4 muaj burg, kryetar i parë i KMSH-së pas komunizmit, 1990 – 2003), Haki Sharofi (kryeredaktor i revistës “Zani i Naltë”, burgosur në vitin 1946), Ismail Muçej (poliglot gjuhësh, burgosur në 1952-1963), Haxhi Faik Hoxha (burgosur në 1966, dënuar me 25 vite burg), Hasan Tahsini (drejtues në medrese, burgosur në vitin 1947), Hafiz Mustafa Varoshi (myfti i Durrësit, burgosur në vitin 1945, vdekur në burg), Hafiz Sherif Langu (kryetar i Këshillit të Naltë të Sheriatit, burgosur në vitin 1945), Hafiz Esat Myftia, (kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar, burgosur në vitin 1946), Hafiz Musa Dërguti (burgosur në vitin 1946), Hafiz Ali Kraja (burgosur në vitin 1945), Imam Met Troci (vdekur në burg më 1947), Sheh Ibrahim Karabunara (vrarë në burg më 1947 bashkë me të birin), Sheh Myslim Luma (vdekur në burg më 1953), Imam Ahmet Hyseni (vdekur në burg më 1945), Hafiz Xhemal Naipi (Kadi, kryetar komisioni i arsimit, myfti, drejtor i përgjithshëm i Vakëfeve, senator, deputet, kryetari i parë i parlamentit pluralist më 1921, i dënuar më 1947 nga Gjykata Ushtarake me privim lirie për jetë, me punë të detyruar, humbjen e të drejtave civile e politike – vdiq në burgun famëkeq të Burrelit në vitin 1955 në moshën 77 vjeçare, pa pasur familjarët dijeni as për varrin e tij), Jonuz Bulej, drejtor i konviktit të medresesë së Tiranës. Të tjerë se Hafiz Shevqet Boriçi, Hafiz Sabri Bushati, Mulla Alush Zaganjori, etj., u vetëizoluan në shtëpi deri në vdekje.
Klerikët
Klerikët myslimanë e të krishterë, u bënë fli të besimit të tyre, besnikë deri në fund ndaj Zotit dhe besimtarëve. Ata ishin, gjithashtu, të brumosur me dashurinë ndaj besimit e atdheut dhe nuk pranuan asnjë kompromis me regjimin e Enver Hoxhës, duke i qëndruar besnikë fesë dhe kombit, për të cilët shpirti i tyre mbeti gjithmonë i lirë.
Egoizmin e tij të shfrenuar antifetar, Enver Hoxha siç e thekson edhe historiani amerikan James S O’Donnel, desh t’ia faturonte rinisë, se gjoja ajo ishte nismëtarja e luftës kundër fesë. Sigurisht që një shpjegim i tillë i bërë në atë kohë, është qesharak ose të paktën shumë i ekzagjeruar. Më 13 nëntor të vitit 1967, Parlamenti kaloi dekretin 4337, ku dhe u anulua zyrtarisht statusi ligjor i besimeve fetare, që më parë garantohej nga Kushtetuta e vitit 1946. Ndërsa neni 37 i Kushtetutës së re shkruante se “shteti nuk njeh asnjë fe ose besim fetar” dhe mbështet vetëm propagandën ateiste, me qëllim rrënjosjen e një vizioni materialist dhe shkencor te njerëzit. Me këtë Enver Hoxha mori edhe masën ekstreme të mundshme të nxjerrjes jashtë ligjit të fesë dhe i kërkonte me kushtetutë njerëzve të bëheshin ateistë.
Domethënia e fitores në luftën ndaj fesë përshkruhet në një fjalim të Enver Hoxhës në Komitetin Qendror të Partisë në vitin 1973: “A nuk ishte goditja jonë shkatërrimtare ndaj dogmave fetare, sëmundjes së lashtë, helmit të merimangës së zezë, akti më heroik, më i aftë dhe më i ditur i partisë sonë? A nuk ishte ndalimi i fesë, bashkë me aparatin dhe personalin e saj, akti më domethënës konservator? Këto ishin struktura shpirtërore e materiale disa – shekullore, por partia e populli ynë i shkatërruan gjatë luftës në disa dekada. Përpjekja për çrrënjosjen e këtij kanceri vazhdon pasi nuk ka mbaruar ende. Kura për kancerin ende nuk është zbuluar, por lufta ndaj fesë duhet të vazhdojë e pa ndaluar dhe me bindje. Lufta kundër ideologjisë fetare, është e lidhur ngushtë me luftën kundër imperializmit dhe revizionizmit dhe me përpjekjen e fitores së socializmit dhe komunizmit”.
Besimi
Me gjithë zbatimin e ashpër të këtyre politikave dhe dënimet e ashpra ndaj atyre që i kundërshtonin, besimi fetar nuk u zhduk nga Shqipëria. Këtë pa dashje e pranon edhe vetë Enver Hoxha, i cili thoshte se: “… përpjekja ndaj zakoneve të prapambetura, traditave e normave fetare nuk ka mbaruar, pasi është një përpjekje e gjatë, e komplikuar dhe e vështirë”.
Sulmet ndaj influencave fetare morën një tjetër shtytje më 23 shtator të vitit 1975 kur Parlamenti shqiptar kaloi dekretin 5339, i cili jo vetëm u ndaloi besimin e fenë njerëzve, por edhe u kërkonte qytetarëve që ato që kishin “emra ose mbiemra të papërshtatshëm nga pikëpamja politike, ideologjike ose morale, ishin të detyruar t’i ndryshojnë ato”. Me këtë rast në vitin 1982 u botua Fjalori i emrave të njerëzve, ku listoheshin 3000 emra të aprovuar. Vetëm me emrat e rinj mund të pagëzoheshin fëmijët e lindur. Në një artikull me titull “Drejt krijimit të shoqërisë ateiste” të botuar në shtypin shqiptar në mars 1986, shpjegohet arsyeja e këmbënguljes së qeverisë në emrat ateistë: “Të gjithë i zgjedhin emrat e fëmijëve të tyre sipas dëshirës, emra që janë të bukur, që kanë tingull muzikor etj., por meqenëse ne kemi emra kaq të bukur kombëtarë, nuk mund të justifikojmë përdorimin e emrave të huaj, ose të atyre që shprehin nostalgji për fenë”.
Me asgjësimin e gjithë klerikëve, ndëshkimi i Enver Hoxhës shkon më tej dhe i kapërcen caqet e përfytyrimit. Ata u konsideruan en bloc bashkëpunëtorë të okupatorit dhe kundërshtarë të regjimit. Shumë u arrestuan dhe u ekzekutuan. Beteja e Enver Hoxhës me fenë është një ndër faqet më të trishta të historisë së komunizmit shqiptar. Fillimisht, ai ngushtoi të gjitha hapësirat fetare në Shqipëri, anuloi pavarësinë e tyre, reduktoi ndjeshëm numrin e klerikëve deri në asgjësimin e tyre. Lufta më se 45 vjeçare kundër fesë dhe ndalimi 23 vjeçar i saj me ligj, i kushtoi popullit tonë qindra jetë klerikësh të ekzekutuar, mijëra të tjerë të dënuar nga neni famëkeq i agjitacion propagandës, një popull të tërë që i u mohua besimi, 2035 objekte kulti që i mbyllën ose i shkatërruan, dhjetëra kisha e xhami ose teqe që i shndërruan në bare, restorante, shtëpi kulture, reparte ushtarake e gjithë çfarë hangarësh për mjete e kafshë.
Krimet ndaj vlerave të tilla njerëzore e materiale të fesë e ndaj fesë, shënuan një kulm të pa parë historik makabër ndaj popullit shqiptar, vepër edhe kjo e egër e egoizmit të Enver Hoxhës. E ndërsa Enver Hoxha vdiq, koha tregoi se feja nuk kishte vdekur, ndonëse lëngoi gjatë bashkë me popullin e si dëshmitare e tij por edhe akuzuese ndaj Enver Hoxhës. Enver Hoxha vdiq, e ndërsa Zoti jetoi e jeton. Enver Hoxha nuk e vrau dot Zotin, por Zoti e vrau Enver Hoxhën përfundimisht bashkë me sundimin e tij kriminal. Amin!






