Kompanitë e Përparim Ramës në Londër: Miliona në asete e detyrime, 4MA me vetëm 2 mijë funte cash, por afro gjysmë milioni hua kompanive të tjera në pronësi të tij

Para se të merrte detyrën e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama kishte krijuar në Londër një strukturë biznesi të shtrirë në arkitekturë, ndërtim dhe prona. Një pjesë e këtyre kompanive vazhdojnë të jenë aktive edhe sot.

Ndonëse Rama nuk figuron më si drejtor, lidhja e tij pronësore me bizneset vazhdon. Në deklarimin e pasurisë të dorëzuar në Kosovë, Rama ka deklaruar pronësi prej 100 për qind në 4MA LTD, Studiorama LTD, Nonlinear Matrix LTD dhe 4M Works LTD, ndër të tjera.

Në qendër të kësaj strukture financiare del 4MA Limited, kompani aktive në Britani që operon në zhvillimin e projekteve ndërtimore, prona dhe aktivitete arkitekturore.

Dokumentet e fundit financiare të dorëzuara në regjistrin britanik Companies House japin një pamje interesante të kompanisë, ku paraqiten miliona funte në prona dhe asete, miliona në detyrime, shumë pak para të gatshme në bankë dhe, në të njëjtën kohë, qindra mijëra funte të regjistruara si hua ndaj kompanive të lidhura.

Sipas llogarive për vitin financiar që përfundoi më 31 mars 2025, 4MA raportonte rreth 3.79 milionë funte asete fikse, ku pjesën kryesore e përbëjnë toka, ndërtesa dhe prona investuese.

Por përballë këtyre aseteve qëndron një nivel i konsiderueshëm detyrimesh.

Borxhet afatshkurtra arrinin rreth 2.67 milionë funte, ndërsa detyrimet afatgjata rreth 484 mijë funte. Në total, bëhet fjalë për rreth 3.16 milionë funte detyrime.

Dhe pikërisht këtu del një nga kontrastet më interesante të bilancit.

Pavarësisht miliona funteve në asete, në fund të periudhës 4MA raportonte vetëm 2,337 funte para në bankë.

Kjo nuk nënkupton se kompania nuk ka pasur qarkullim apo para gjatë vitit, bilanci paraqet gjendjen në një moment të caktuar, por tregon se në fund të periudhës likuiditeti i menjëhershëm i raportuar ishte shumë i vogël krahasuar me madhësinë e aseteve dhe detyrimeve.

Afro gjysmë milioni funte hua kompanive të lidhura

Pamja bëhet edhe më interesante kur shikohen marrëdhëniet e 4MA me kompanitë e tjera të lidhura.

Në llogaritë e saj figurojnë hua ndaj:

4M Works Ltd-411,112 funte

Non-Linear Matrix Ltd- 43,864 funte

Studiorama Ltd- 36,172 funte

Microcento Ltd- 7,175 funte

Të mbledhura së bashku, këto arrijnë në rreth 498,323 funte.

Pra, nga dokumentet del se 4MA jo vetëm mban prona dhe asete të konsiderueshme, por njëkohësisht ka financuar përmes huave kompani të tjera të lidhura.

Kjo është veçanërisht interesante duke pasur parasysh se vetë 4MA, në fund të vitit financiar, raportonte vetëm 2,337 funte cash dhe mbi 3 milionë funte detyrime.

Natyrisht, këto dy shifra nuk duhet të krahasohen sikur huatë prej 498 mijë funte janë dhënë pikërisht në ditën kur kompania kishte 2,337 funte në bankë. Dokumentet tregojnë gjendjen e huave dhe gjendjen e cash-it në fund të periudhës, jo domosdoshmërisht momentin kur janë transferuar paratë.

Megjithatë, ato tregojnë qartë se financimi ndërmjet kompanive të lidhura është një pjesë e rëndësishme e strukturës së 4MA.

4M Works- mbi 411 mijë funte hua, ndërsa kompania ka bilanc dukshëm më të dobët

Rasti që bie më shumë në sy është 4M Works Ltd.

Vetëm ndaj kësaj kompanie, 4MA raporton një hua prej 411,112 funte.

Kjo përbën mbi 80 për qind të shumës totale të huave të mësipërme ndaj kompanive të lidhura.

Por profili financiar i 4M Works është dukshëm më modest se ai i 4MA.

Sipas llogarive të publikuara, kompania ka rreth 203 mijë funte asete, ndërsa detyrimet arrijnë rreth 381 mijë funte, duke e lënë kompaninë me kapital negativ.

Kështu, 4MA ka një kërkesë prej mbi 411 mijë funte ndaj një kompanie, bilanci i së cilës paraqet detyrime më të mëdha sesa asetet.

Kjo nuk dëshmon drejtpërdrejt se huaja është problematike apo se nuk mund të rikthehet. Megjithatë, nga pikëpamja financiare, është një prej elementeve të dyshimta që kërkon më së shumti vëmendje: sa e rikuperueshme është një hua e kësaj madhësie nga një kompani me kapital negativ dhe çfarë aktiviteti apo projekti qëndron pas saj?

Dokumentet publike të Companies House nuk japin përgjigje të plotë për këtë.

Studiorama- afro një milion funte asete, por edhe mbi 900 mijë funte detyrime

Një tjetër kompani e lidhur është Studiorama Ltd, në të cilën Rama ka deklaruar pronësi 100 për qind.

Studiorama operon në sektorin e pronave dhe paraqet një model të ngjashëm financiar, vlerë të konsiderueshme asetesh, por edhe detyrime të larta.

Sipas të dhënave financiare të publikuara, kompania ka afërsisht 995 mijë funte asete, kundrejt rreth 924 mijë funte detyrime.

Në llogaritë e 4MA figuron edhe një hua prej 36,172 funte ndaj Studiorama.

Non-Linear Matrix -kompani shumë më e vogël

Non-Linear Matrix Ltd paraqet një profil krejt tjetër.

Në vitin 2025 ajo raportonte rreth 57,877 funte asete, rreth 35,412 funte detyrime totale dhe rreth 22,465 funte pasuri neto.

Ndërkohë, 4MA raporton një hua prej 43,864 funte ndaj kësaj kompanie.

Pra, edhe këtu kemi një kompani relativisht të vogël që ka një detyrim të konsiderueshëm ndaj 4MA në raport me madhësinë e bilancit të saj.

Çfarë tregojnë të gjitha këto shifra?

Kur dokumentet shikohen së bashku, kompania 4MA del si nyja kryesore financiare e kësaj strukture biznesi.

Ajo ka prona dhe asete prej disa milionë funte, por njëkohësisht ka detyrime mbi 3 milionë funte. Në fund të vitit financiar kishte vetëm pak mijëra funte cash, ndërsa në bilanc mbante afro gjysmë milioni funte kërkesa nga kompani të tjera të lidhura.

Në veçanti, mbi 411 mijë funte janë të lidhura vetëm me 4M Works, një kompani që, sipas bilancit të saj, ka më shumë detyrime sesa asete.

Dokumentet e Companies House nuk tregojnë se kur janë dhënë të gjitha këto hua, për çfarë projektesh konkrete janë përdorur, në çfarë kushtesh janë dhënë apo kur duhet të kthehen.

Pikërisht këtu mbetet pjesa që nuk shihet nga bilancet publike: si qarkullon financimi ndërmjet kompanive të kontrolluara nga i njëjti aksionar dhe sa prej këtyre qindra mijëra funteve janë realisht të rikuperueshme.

Ajo që dokumentet tregojnë pa ekuivok është një strukturë me miliona funte në prona dhe asete, miliona në detyrime dhe qindra mijëra funte në marrëdhënie financiare ndërmjet kompanive të lidhura.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit