Komisionarja e Bashkimit Evropian, Marta Kos, përballet me akuza të reja për bashkëpunim me policinë sekrete jugosllave.
Marta Kos, e cila mban postin e Komisionares për Zgjerim, është rikthyer nën presion pas pretendimeve se mund të ketë bashkëpunuar me shërbimin sekret jugosllav (UDBA) në vitet 1980.
Dokumentet që po analizohen aktualisht janë botuar në një libër të autorit slloven, Igor Omerza dhe janë diskutuar hapur në Parlamentin Evropian.
Sipas këtyre dokumenteve, të publikuara gjatë një ngjarjeje të organizuar nga eurodeputetja, Romana Tomc, ekzistojnë tregues që lidhen me emrin e Martës Kos në arkivat e shërbimit sekret, raporton Politico.
Tomc pretendon se gjatë dëshmisë së saj para komisionit të Parlamentit Evropian, sllovenja kishte deklaruar se nuk kishte bashkëpunuar me këtë shërbim. Megjithatë, dokumentet e reja sugjerojnë të kundërtën.
Eurodeputetja ka dërguar një letër zyrtare drejtuesve të Komisionit Evropian, duke kërkuar sqarime për ruajtjen e këtyre dokumenteve dhe nëse Komisioni do të verifikojë saktësinë e tyre, apo do të marrë masa në rast se rezulton se Kos ka dhënë informacione të rreme gjatë procesit të konfirmimit.
Zëdhënësi i Komisionit ka deklaruar se Komisioni nuk ka koment shtesë dhe se emërimi i Kos ka kaluar procesin standard të verifikimit, duke përfshirë miratimin nga Parlamenti Evropian. Kos më herët ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si “dezinformata”.
Dokumentet që lidhen me UDBA-n, shërbimin sekret të ish-Jugosllavisë, mbeten një çështje e ndjeshme politike në rajon dhe po rrisin kërkesat për më shumë transparencë nga autoritetet evropiane, për sqarimin e të shkuarës dhe ruajtjen e integritetit të zyrtarëve të lartë.









