Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka reaguar pas bujës që bëri përplasja e tij në Facebook me një qytetar, ku ky i fundit u quajt “xhenaze” dhe nga faqja e kryetarit iu kthye komenti duke ia ‘përshëndetur’ familjen.
Pasi postimi u fshi, Totaj ka deklaruar se komentin nuk e ka shkruar ai vetë, por administratori i faqes së tij zyrtare.
Totaj ka refuzuar në mënyrë kategorike të tregojë se kush është personi që komenton në emër të tij, duke u mjaftuar me urimin: “Kaloni ditë të bukur!”.
I pyetur lidhur me mesazhin ku qytetarit i përmendej familja, kryetari i Prizrenit ka insistuar se ka ndërhyrë vetëm për ta fshirë postimin sapo e ka vërejtur komunikimin.
“Përshëndetje e nderuar. Faqen e menaxhon administratori dhe posa unë e vërejta këtë komunikim reagova për ta larguar. Keni parasysh, nëse i shkruhet Kryetarit të Prizrenit ‘xhenaze’, ka individë që reagojnë! Me respekt, Sh.T.“, tha Totaj për Betimi për Drejtësi.
Kur është pyetur se “Kush është administratori që ka komentuar në emrin tuaj? ai është përgjigjur me “Kaloni ditë të bukur!”
Krejt ky sherr në rrjetet sociale ndodhi pikërisht në një shkrim ku Shaqir Totaj po akuzonte Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti se po përdorin një strategji të “komunikimit toksik” përmes linçimeve publike, dezinformatave dhe shpifjeve.









