Komandanti i Policisë në Stacionin Policor në Lipjan, Argjend Gashi, thotë se ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij, një ditë pasi Gazeta raportoi se ai është shkarkuar pas vdekjes së 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu, në Lipjan.
Gazeta ka raportuar mbrëmë se Argjend Gashi është shkarkuar dhe nga sot ai do të zëvendësohet nga Ibrahim Shatrolli, komandanti i Trafikut në Ferizaj.
Kjo lëvizje ka ndodhur pas vdekjes së Agon Zejnullahut në duart e policisë, pas arrestimit të tij.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për pesë policët e dyshuar për “vrasjen nga pakujdesia” të 27-vjeçarit nga Lipjani, Agon Zejnullahu.
Masa e paraburgimit është caktuar ndaj: Ibrahim Nela – Rreshter në Stacionin Policor Lipjan – DRP Prishtinë, Artidon Konxheli – Zyrtar në SP Lipjan, Liridon Rrahmani – Zyrtar në SP Lipjan, Albian Ratkoceri – Zyrtar në SP Lipjan, Endrit Beqiri – Zyrtar në Stacionin Policor Ferizaj – DRP Ferizaj.






