Komandanti i forcës paqeruajtëse KFOR, gjeneral majori Özkan Ulutaş tha se NATO vazhdon të kërkojë llogaridhënie për rastin e Banjskës dhe që kryerësit e sulmeve të sillen përpara drejtësisë.
Gjenerali Ulutaş tha se KFOR-i nuk ka qenë i përfshirë në asnjë negociatë të pretenduar për largimin e sulmuesve nga Kosova në vitin 2023 por ishte në detyrën e tij të rivendosjes së sigurisë në zonë.
Komandanti i KFOR-it tha se KFOR-it do ta ruajë praninë e tij të përhershme në urën kryesore në lumin Ibër duke bërë patrullime të rregullta në zonat përreth për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Ai tha se FSK nuk mund të hyjë në veri të Kosovës pa lejen e tij.
Ndërkohë, ka folur edhe për atë se a do të ketë reduktim të trupave amerikane nga Kosova?
“Përbërja dhe pozicionimi i KFOR-it rishikohen periodikisht dhe përshtaten sipas zhvillimit të rrethanave në mënyrë që misioni të mbetet efektiv. Aktualisht, nuk ka ndryshime të rëndësishme nën shqyrtim. KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes”, tha ai.
“KFOR-i operon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në rolin e tyre të përcaktuar si përgjegjës të sigurisë. SHBA-ja vazhdon të luaj një rol fundamental në mbështetje për një siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitet rajonal, përfshirë edhe në kuadër të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR”.
“Shtetet e Bashkuara kanë pothuajse 600 trupa të dislokuara në KFOR. Ato udhëheqin Komandën Rajonale Lindje të misionit tonë. Komanda Rajonale Lindje kontribuon në operacionet e përditshme të KFOR-it në shumë mënyra të ndryshme, duke përfshirë patrullime, trajnim dhe stërvitje, angazhim me përfaqësues të komuniteteve lokale dhe mbështetje për projekte rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik”.









