Larja e dhëmbëve mund të bëjë më shumë sesa të ndriçojë buzëqeshjen tuaj – mund t’ju ndihmojë gjithashtu të jetoni më gjatë.
Hulumtimet gjithnjë e më të shumta sugjerojnë që higjiena e mirë orale është e lidhur me një rrezik të reduktuar të sëmundjeve serioze, duke përfshirë sëmundjen e Alzheimerit dhe artritin reumatoid .
Në konferencën vjetore të Shoqatës Amerikane për Avancimin e Shkencës (AAAS), e cila u zhvillua në Arizona javën e kaluar, një grup studiuesish shqyrtuan këto prova, duke e quajtur gojën një “portë hyrëse për shëndetin e përgjithshëm”.
Gjatë eventit të titulluar “Goja si Portë Drejt Shëndetit të Përgjithshëm”, panelistët nga shkollat mjekësore në të gjithë SHBA-në diskutuan se si goja shihej më parë si një entitet i veçantë nga pjesa tjetër e trupit.
“Megjithatë, studiuesit tani e dinë se zgavra orale dhe trupi janë thellësisht të ndërlidhura”, thuhet në përmbledhjen e prezantimit në faqen e internetit të AAAS.
Panelistët vunë në dukje se hulumtimet e kaluara sugjerojnë se zgavra orale mund të ndikojë në shëndetin e organeve të tjera, duke përfshirë nyjet, trurin dhe zorrët.









