Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese nuk mori pjesë sepse ishte për improvizim për të shfrytëzuar për të bërë deklarata politike.
Ai pas dështimit të kësaj seance në mungesë të kuorumit tha se ndryshimi i Kushtetueses nuk mund të ndodh natën.
“AAK nuk ka marrë pjesë në këtë seancë e cila është thirrur për të bërë një improvizim. Siç u pa, u shfrytëzua vetëm e vetëm për të bërë deklarata politike, gjoja për të ndryshuar Kushtetutën, proces ky që nuk mund të ndodh në pikë të natës dhe në rrethana ku nuk ka diskutim, sepse këto amendamente janë të vitit 2011 dhe ka një aktvendim të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2012. Pastaj vijnë në një kohë dhe rrethana kur qytetarët po presin a do të zgjidhet apo jo një president, dhe jo a do të ndryshojë apo jo Kushtetuta”, tha ai.
Ai tha se AAK çoi mesazhin se AAK nuk bëhet pjesë e spektakleve.
“Ky është qëndrimi jonë dhe mbi këtë dëshirojmë që shumë qytetarë, shumë edhe votues tonë dhe qytetarë po pyesin pse s’keni marrë pjesë: kjo është arsyeja pse s’mori pjesë, për shkak se ne nuk bëhemi pjesë e një spektakli, e një improvizimi që më shumë i takon apo më mirë me thënë më shumë i ngjan një cirku sesa një pune serioze për të cilën qytetarët e Kosovës janë të shqetësuar, një pune të përgjegjshme politike që është zgjedhja e Presidentit të Kosovës”, tha ai.









