Kina dënoi Shtetet e Bashkuara për sulmet e fundjavës ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke i cilësuar ato si shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar.
Në një deklaratë të shkurtër të dielën mbrëma, ministria e jashtme kineze tha se bombardimi i objekteve, të cilat ishin nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, shkelte rëndë Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe parimet e saj.
Kina u bëri thirrje të gjitha palëve, veçanërisht Izraelit, të ndalojnë menjëherë luftime dhe të sigurojnë mbrojtjen e civilëve, duke nisur dialogun.
“Kina është e gatshme të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar për të mbështetur drejtësinë dhe për të rikthyer paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme”, tha ministria.
Kjo thirrje erdhi disa orë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se ushtria amerikane kishte kryer bombardimet, duke i quajtur sulmet një “sukses spektakolar ushtarak” dhe duke premtuar sulme të tjera nëse Teherani nuk tërhiqet.
Teherani gjithashtu konfirmoi sulmet, por tha se objektet ishin evakuuar përpara goditjeve. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, e quajti bombardimin “të papranueshëm”.






