Kina ka reaguar ndaj presidentit amerikan Donald Trump, duke e akuzuar se po “i hedh benzinë zjarrit” në konfliktin në rritje mes Iranit dhe Izraelit, pas paralajmërimit të tij për banorët e Teheranit që të “evakuohen menjëherë”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, ka deklaruar se “nxitja e flakëve, hedhja e benzinës, kërcënimet dhe presioni i shtuar nuk ndihmojnë në uljen e tensioneve, por vetëm sa e përshkallëzojnë dhe e zgjerojnë konfliktin”.
Në reagimin e tij, Guo ka shtuar se “ana kineze u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira, veçanërisht vendeve me ndikim të veçantë mbi Izraelin, të marrin përgjegjësitë e tyre, të ndërmarrin masa të menjëhershme për të ulur tensionet dhe të ndalojnë përhapjen dhe zgjerimin e konfliktit.”






