(Kush-kujt.)
1. Zbulimi i madh
Në fermë u përhap lajmi se ishte zbuluar një skemë shumë e rrezikshme.
Askush nuk e dinte saktësisht kush e kishte bërë.
Por të gjithë ishin të sigurt për një gjë:
skemën e kishte bërë gjithmonë dikush tjetër.
…
2. Kafshët e popullarizuara të Fermës
Në fermë secili kishte emrin dhe natyrën e vet.
Dhelpra quhej Vjosa.
Kali i konsensusit quhej Bedri.
Kafsha e paidentifikuar (që ngjan me derr, por derr s’është) quhej Lumir.
Arusha quhej Ramush.
Hiena quhej Hashim.
Nga larg dëgjoheshin edhe dy zëra të tjerë:
Palloshi që quhej Grenell
dhe lugati që quhej Edi Rama.
Ndërsa derrët, si zakonisht, nuk kishin nevojë të prezantoheshin.
Ata gjithmonë e dinin skemën para se të zbulohej.
…
3. Krijesa
Një krijesë tjetër në fermë nuk kishte emër.
Të gjithë e njihnin, por askush nuk ia thoshte emrin.
Ai doli dhe tha:
– Opozita ka bërë një skemë.
Kafshët u habitën.
Sepse dallëndyshet e mediave e kishin mbajtur lajmin sekret.
…
4. Matematika e skemës
Kafsha e paidentifikuar (që ngjan me derr, por derr s’është) filloi të bëjë llogaritë.
– A më del kjo skemë me përqindje?
Dhelpra tha:
– Më mirë po e shkel Kushtetutën duke u munduar ta mbroj.
Pastaj shtoi:
– Pakënaqësia ime ka bazë ligjore.
Arusha tha:
– Unë gjithmonë kam qenë kundër çdo skeme.
Më thoni arushë (anipse arushan jam).
Pastaj mendoi pak dhe shtoi:
– Përveç kësaj.
Sepse ai e kishte pezulluar dorëheqjen si pjesë të skemës.
…
5. Teoria e hienës
Kali i konsensusit, ndërkohë që debatonte me një pelë, foli për një skemë edhe më të madhe.
– Që një ditë nga mali të zbresë hiena dhe ta zgjidhë gjithë skemën.
Në atë moment një pulë e re pyeti gomarin:
– Pse e quajnë hienë?
Gomari tha:
– Sepse hiena zakonisht shfaqet pas kaosit.
Pastaj shtoi:
– Ajo ushqehet me situatat që i krijojnë të tjerët.
– Shfaqet pas betejës dhe sillet sikur e ka fituar vetë.
Pula mendoi pak.
– Po pse thonë se zbret nga mali?
Gomari buzëqeshi.
– Sepse në fermë gjithmonë besohet se nga mali zbret dikush që do ta zgjidhë gjithë rrëmujën.
Pastaj shtoi me zë të ulët:
– Dhe zakonisht zbret pikërisht hiena.
…
6. Zërat nga larg
Në këtë kohë palloshi (që këndezi e quante pallë) u shfaq nga larg dhe tha:
– Zgjedhjet e reja janë lajm i mirë.
Zoti po na përgatit për rikthimin e hienës.
Kafshët u panë mes vete.
– Pse palloshi e do kaq shumë hienën? – pyeti një pulë me vezë të kuqe.
– Nuk e dimë, – tha një tjetër.
– Pyetja më e çuditshme është tjetër, – tha gomari.
– Cila?
– Kush e do më shumë hienën: palloshi apo lugati?
…
7. Zoti dhe politika
Në këtë moment dhelpra tha:
– S’e kam ditur se Zoti do ta lirojë hienën nga burgu.
Se ta dija, nuk e kisha shpërndarë fermën.
– Po çfarë paska thënë Zoti? – pyeti një pulë.
– Që paraardhësi im të bëhet pasardhësi im.
…
8. Rregulli i fermës
Në këtë pikë skema u bë edhe më e ndërlikuar.
Sepse në fermë ekziston një rregull shumë i thjeshtë:
kur të gjithë flasin për skemën e tjetrit, skema zakonisht është e përbashkët.
…
9. EPILOG: Mesnatë në Moskë
Në mesnatë, shumë larg fermës, në Moskë, dikush po ndiqte lajmet.
Vladimir Putin dëgjoi për skemën, për zgjedhjet dhe për hienën që pritej të zbriste nga mali.
Ai mendoi pak dhe tha:
– Mos udhëtoni në Kosovë. Aty është rrezik.
Në fermë askush nuk u habit.
Sepse në fermë rreziku rrallë vjen nga turistët.
Rreziku zakonisht vjen nga skemat.
…
P.S.
Kush janë derrat? Nuk guxoj të tregoj.
Kush është gomari – po ashtu e kam të ndaluar të tregoj… nga muzat.
…
AUTOKRITIKË: Nimfa.









