(Gratë nuk bëhen të rrezikshme kur flasin.
Por kur lexojnë.)
Nuk kam si ta dua, as si ta respektoj dikë që nuk është i ditur.
Dhe kjo është arsyeja pse dua kaq pak.
Të gjithë merren me thashetheme:
kush me kë, kush kë tradhton,
intriga shtrati.
Lexohen statuse të shkurtra ku dikush shan dikë tjetër.
Kaq mjafton.
Në vitet ’90, së paku qarkullonin thënie popullore, idioma, fjali të trashëguara…
kish pas thënë njëherë një plak…
Sot as ato.
As fjala e trashëguar.
As mendimi.
Në këtë ambient primitiv, pashë një grua në një video të Albin Kurtit.
Ajo kishte lexuar Barletin për Skënderbeun.
Dhe kishte qarë për Skënderbeun.
Poezi e madhe.
Të qash për heroin më të madh, për të cilin të gjithë këndojnë?
Po heroi – çfarë do të donte:
ta qajnë, apo ta këndojnë?
Ajo ditë ishte e mbuluar me mjegull…
ose ndoshta ishte tymi që dukej si mjegull.
Nuk e di.
Por e di se edhe unë do të kisha qarë.
Pas gjithë atyre vuajtjeve, fytyra e asaj gruaje kishte shprehjen e një vajze që sapo ka lexuar një roman dashurie.
Një butësi e papritur.
Një rini e fshehur.
Gratë shqiptare nuk janë rritur me libra, por me barrë.
Me fëmijë në krah,
me tokë në duar,
me heshtje në gojë.
Libri nuk ishte i ndaluar.
Ishte thjesht i pamenduar për to.
Shoqëria shqiptare nuk e ka ndaluar librin.
Por gjithmonë e ka vëzhguar gruan që lexon.
Nuk e di si do të ishte të ishe e martuar dhe burri të të shihte duke lexuar ‘Madame Bovary’.
Me siguri do të mendonte se po mëson rrugën e largimit.
Dhe ndoshta do të kishte të drejtë.
Sepse librat mësojnë rrugë.
E megjithatë, ka një të vërtetë që nuk thuhet mjaftueshëm:
burrat shqiptarë gjithmonë i kanë respektuar gratë e mençura.
Me to janë këshilluar.
Me to kanë pirë cigare.
Në çdo familje ka ekzistuar një “malësore” e urtë, tek e cila burrat janë kthyer për të marrë mendim.
Ndjenja e inferioritetit vjen nga padija.
Padija vjen nga mosleximi.
Edhe kur të urrejnë, do të të respektojnë nëse je e ditur.
Në Qyshk të Pejës, lokja Xhemile Gashi frymëzoi një slogan politik.
Frymëzoi edhe një lexues të madh …Albin Kurtin.
Kjo është fuqia e leximit.
“Mos lësho pe.”
Leximi të mban të re.
Të bën të dukesh e re.
Të lejon të mbetesh e re.
P.S. Thonë se për 21 ditë hiqet një zanat i keq.
Hiqe.
AUTOKRITIKË:
Shpëtove.
Edhe një herë.








