Shkruan: Kimete Berisha
Arabia e Skënderajt
(‘Policia morale’ shqiptare)
Një shoqëri gati 100% myslimane,
mjerimin kulturor e mbulon me drita të Krishtlindjeve.
Në çdo rrugë, në çdo kafene,
këndohet për Jezusin.
Jezusin që e fali Maria Magdalenën.
Në këtë “atmosferë perëndimore”,
në një tubim politik në Skenderaj,
një grua deputete u shpall “prostitutë”.
Dihet.
Feja e shqiptarëve është folklor.
Burrëria është krim:
ashpërsi, armë, ndëshkim…dajak.
Dashuria:
çfarë është dashuria për njerëzit e prapambetur, aman?
Shqiptarët e kanë zemrën në Lindje,
dritat në Perëndim,
dhe lirinë që Perëndimi ua ruan me armatim të rëndë.
Ndërsa burrat lëshojnë mjekra, sundojnë gra dhe grabisin.
Në Kosovë nuk është e ndaluar me ligj
që publikisht ta quash një grua “prostitutë”.
Po të ishte i ndaluar linçimi publik i grave,
së paku gratë e partisë do të duhej të distancoheshin
nga “Policia morale” e Skenderajt.
A nuk e dinë ato zonja se njësoj mendojnë edhe për to?
Se për ‘Policinë morale’,
çdo grua e lirë është “prostitutë”.
Edhe kur nuk është.
Edhe sikur të ishte…
do të ishte punë e saj,
jo armë politike e meshkujve që,
kur më nuk ndihen burra,
i shohin gratë si “prostituta”.
Kështu fillon Lindja:
njëherë me fjalë,
pastaj me gurë.
P.S.
Për ironi, kënga shoviniste “This is a man’s world”
e thotë të vërtetën.
Në Fjalorin e gjuhës shqipe nuk e gjen “kurvar-in”,
sepse fjalorin e kanë bërë meshkujt.
E gjen vetëm “kurvën”.
Gjuha shqipe e ka vendosur në Kongres:
morali ka gjini.
Dhe unë i them vetes gjuhëtare.
- Më vjen ta shqyej emrin tim.
AUTOKRITIKË:
Hë?
Të mashtroi?
Të dhemb tash?
A ndjen sikur kapakët e syve t’i kanë mbushur me gurë të vegjël?
Një fjalë – një gur.
Mirë.
Se lakmove.
Në fjalët e tij të huazuara nga filmat që i ke parë.
Se besove.
Deshe të ishe e kuptuar, jo e lirë.
Pastaj iku.
Mbete pa të,
dhe pa lirinë.
(Autokritika vazhdon në heshtje, sepse degradon.)






