spot_img
spot_img
Friday, January 23, 2026
spot_img
spot_img

Kimete Berisha: Fenomeni i klasës së dyshimtë

(Kur vjedh pak, quhet shkelje. Kur vjedh shumë, quhet kulturë.)

1) Prindi dhe djali (komisioner)

(Procesverbal familjar)

Prindi: Si të shkoi sot numërimi?

Djali: Shumë mirë. I nxora rezultatet… të qarta.

Prindi: Po votat? A ishin të qarta?

Djali: Votat ishin… të lëvizshme.

Prindi: Mos më thuaj që i preke.

Djali: Jo. Thjesht i “ndihmova” të gjenin destinacionin.

Prindi: Vota është e shenjtë.

Djali: E di. Prandaj e kam ruajtur afër zemrës: në xhep.

Prindi: A pati ryshfet?

Djali: Jo… vetëm “kafe”.

Prindi: Sa “kafe”?

Djali: Aq sa e kërkonte “procesi”.

Prindi: Dua të jesh shembull i numërimit. Numëratoren e parë në Prizren e kam sjellë unë nga Turqia. Ti e di.

Djali: E di. Prandaj edhe e respektoj traditën.

2) Klasa e dyshimtë

(Hetim mbi sekretin)

Në një shkollë u gjet një klasë ku nuk kishte asnjë parregullsi. Policia shkoi menjëherë.

Polici: Kush ka qenë përgjegjës këtu?

Mësuesja: Unë.

Polici: Si është e mundur që nuk ka parregullsi?

Mësuesja: Sepse këtu mësohet matematikë.

Polici: Matematikë?!

Mësuesja: Po. 2 + 2 bëjnë 4. Nuk bëjnë “varet kujt i duhet”.

Polici (shënon): Pra, kjo është klasa e dyshimtë…

Nxënësi: Pse e dyshimtë?

Polici: Sepse është e vetmja klasë ku 2 + 2 mbeten 4 deri në fund.

Mësuesja: A mund të largohemi?

Polici: Jo. Duhet ta hetojmë këtë fenomen: si është e mundur të jetë kaq e izoluar një klasë?

3) Prizreni – diversitet kulturor

(Broshurë turistike)

Prizreni gjithmonë është përmendur si qytet kulture: i gjuhëve, i feve, i traditave…

Tani ka edhe diversitet zgjedhor.

Turisti: Çfarë ka të veçantë këtu?

Udhërrëfyesi: Kemi ura, lagje, dialekte… dhe disa mënyra për të numëruar të njëjtën votë.

Turisti: Pse kaq shumë mënyra?

Udhërrëfyesi: Sepse jemi qytet i hapur. Edhe vota jonë udhëton. Nuk rri e mbyllur në një vend: do të shohë botën.

Turisti: Pra, vota shëtit?

Udhërrëfyesi: Po. Këtu nuk thuhet “ma jep votën”, por: “Ku dëshiron të shkosh?”

Turisti: Po në qytetet e tjera pse nuk ka kështu?

Udhërrëfyesi: Sepse atje ekziston një kulturë tjetër: “Mos e prekni, është versioni zyrtar.”

4) Ku t’i çojmë gjithë këta hajna?

(Në zyrë: “Drejtoria për Menaxhimin e Hajnisë”)

Zyrtari 1: Ku t’i çojmë gjithë këta hajna?

Zyrtari 2: Nuk ka vend në burg.

Zyrtari 1: Po janë shumë!

Zyrtari 2: E di. Burgjet janë plot me hajna të vegjël.

Zyrtari 1: Çfarë bëjmë atëherë?

Zyrtari 2: U liruan disa hajna të pulave.

Zyrtari 1: Pse?

Zyrtari 2: Për t’ua liruar vendin hajnave të votave.

Zyrtari 1: Çfarë thanë hajnat e pulave?

Zyrtari 2: “Faleminderit, shtet!”

Sepse pulën e vjedh një herë.

Votën e vjedh… sa herë të jepet mundësia.

Zyrtari 1 (me seriozitet tragjik): Po hajnat e votave ku t’i çojmë?

Zyrtari 2: Në institucione. Atje nuk quhen hajna. Quhen “ekspertë”.

(Pauzë)

Zyrtari 1: A u kry?

Zyrtari 2: Jo. Tani duhet të gjejmë vend edhe për… hajninë që nuk kapet.

5) Procedura për të provuar mungesën e provës

(Në sportel: “Shërbimi për Vërtetimin e Votës”)

Qytetari: Dua ta vërtetoj se ma kanë vjedhur votën.

Zyrtarja: Keni dëshmi?

Qytetari: Po. Kam votuar.

Zyrtarja: Kjo nuk është dëshmi. Kjo është ndjenjë.

Qytetari: Po si ta vërtetoj?

Zyrtarja: Sillni votën.

Qytetari: Por vota është vjedhur.

Zyrtarja: Pikërisht. Pa votën, nuk mund ta vërtetojmë mungesën e votës.

Qytetari: A mund ta shoh listën?

Zyrtarja: Lista është “në përpunim”.

Qytetari: Sa zgjat përpunimi?

Zyrtarja: Derisa të qartësohet rezultati.

Qytetari: Pra, rezultati e qartëson votën, jo vota rezultatin?

Zyrtarja: Ju lutem, mos e filozofoni procesin. Ne jemi institucion.

P.S. Emptiness

AUTOKRITIKË: Ajo nuk banon më këtu.

/GazetaKosova/

- MARKETING -spot_imgspot_img
- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit