Jam më e mira
(Faleminderit.)
…
1. FLUTUROJMË PA KRAH
Një kalimtare me flokë dhe setër të kuqe i tha ish-Presidentes:
“Je më e mira n’dynja.”
“Faleminderit”, ia ktheu ish-Presidentja.
E pranoi se është më e mira në dynja – dhe iu hodh në përqafim.
(Shënim për arkiv:
Vjosa Osmani tani e quan veten “Presidentja e 6-të”, si Luigji i XIV-të e këta…)
Ende pa e përqeshur mirë Presidenten, m’u ndal një veturë para këmbëve.
Një djalë më tha:
“S’ka si ti.”
Unë:
“Faleminderit.”
Pastaj shtoi, me një shprehje të dhimbshme të syve, sikur dikush do të paguajë shtrenjtë për mjerimin e tij:
“Po si t’ia bëj të pi një kafe me ty, se…”
Unë,
sërish:
“Faleminderit.”
Është automatike kjo “faleminderit” tek unë, aq sa
më ka ndodhur të më thonë: “Të dua” – e unë:
“Faleminderit.”
S’është kjo dashuria që e kemi lexuar.
E vëreni që jemi dashuruar në vetveten… dhe më gjerë?
Të thonë:
je e pazëvendësueshme, e paarritshme, e mrekullueshme, gjeniale, brilante, edhe e bukur – edhe e ditur… je e shenjtë.
U përgjigjemi:
“Faleminderit shumë… për vlerësimin.”
…
Është krizë gjuhësore, kjo.
Sepse nuk e gjejmë fjalën e duhur kur dikush na çon në qiell me fjalë – e ne s’duam as të biem në tokë, as të fluturojmë.
Çka të thuash?
…
2. GRATË E MENÇURA
Nënat tona reagonin në mënyrë të hatashme ndaj komplimenteve qiellore.
Thoshin:
“Të dukem e bukur se më do.”
Ose:
“As mbi shoqe, as nën shoqe.”
Por ec e thuaj ti sot për veten:
“As mbi shoqe, as nën shoqe” – kur as shoqe nuk ke.
Ishte bota e vogël e shpresa e madhe, atëbotë.
Askush s’pyeste pse Hëna duket e bukur, anipse është e braktisur, e shkretë.
Në Hënë s’e gjen një lule.
Po Toka ia dhuron një: e quan “Hënë” një lule – jo vetëm pse çel natën.
Kënga barbare thoshte: “Hëna shkëlqen si tepsija.”
E gratë shqiptare shtyheshin se cila e mban tepsinë më të shkëlqyer se tjetra.
Sot
shtyhemi se kush është më gjakftohtë se tjetri.
Dhe prapë.
Kush e ka pasur më mirë?
Ato apo ne?
S’di.
Ato.
Ne.
Të lumtura: asnjëra prej nesh.
3. PAS PUSHTETIT, VETMIA
Pa pozitë,
Vjosa Osmani ka mbetur një grua jo vetëm e zemëruar, por edhe më keq: një grua e thjeshtë, vetëlavdëruese.
Është e mbivlerësuar.
Pa e dëgjuar në intervistën e parë pas përfundimit të mandatit, nuk do ta kisha besuar se është kaq e cekët intelektualisht – mediokre, pa imagjinatë… pa fantazi krijuese.
Bashkë me pushtetin e ka humbur edhe guximin.
Por nuk e ka humbur dashurinë.
Ajo tha:
e do populli.
Se s’ka takuar dikë që s’e do.
Prandaj,
e ardhmja e saj në politikë varet nga populli.
Pastaj, si shumë gra pa pushtet, e përdor gjininë për t’u mbrojtur nga sulmet që s’i kanë ndodhur kurrë.
Tha:
Të gjithë bëjmë gabime.
Asnjëri s’jemi të përkryer.
As unë.
(Dhe bëri mirë që na qartësoi, se kishim dilema, m’o Zot – po na qëllon kush i përkryer.)
U ankua se ajo është e ndershme dhe prandaj e ka braktisur Albin Kurti.
“Bëjeni dallimin”, tha:
Kur Albin Kurti ka qenë i braktisur (nga të gjithë), unë, e vetmja, e kam mbështetur…
Kur mua më kanë mbështetur të gjithë, ai më ka braktisur.
…
Tani, seriozisht:
Çfarë lidhjeje paska qenë kjo…?
Çka quhet braktisje në politikë?
Vjosa Osmani flet sikur Albin Kurti ka qenë “viktimë”.
Nuk e tregon drejt që Albin Kurti ia ka dhënë idenë të bëhet Presidente dhe e ka bërë Presidente…
Dhe se nuk ka qenë i vetmuar, as i braktisur, kurrë.
Vjosa Osmani nuk shkon pas viktimave.
Zakonisht shkon pas suksesit –
dhe mirë bën.
Pas cilit politikan të vetmuar ka shkuar ajo?
Shembull.
Pra,
ajo u bë bashkë me Albin Kurtin sepse ishte e vetmuar, e larguar, e braktisur nga partia e saj,
dhe
s’kishte tjetër rrugëdalje.
Më mirë të thuhet: “Ishte bukur derisa zgjati.”
E jo të çuditesh me vonesë.
Uau: “çdo gjë merrka fund”!
Vjosa Osmani foli si një e moshuar e shekullit XIX.
Tha:
“Nëse dikush në fillim të marsit do të më thoshte se në fund të marsit do të bëhesha Presidente – kurrë s’kisha besuar!”
Tani,
Vjosa Osmani, është e vetmuar politikisht.
Dhe, për herë të parë, mund ta gjejë veten në rrugën e braktisur.
Muhabetet me kalimtarë rasti janë patetike, sepse mirësjellja e kalimtarëve është automatike, kulturë familjare, dhe nuk mjafton:
ata nuk dinë të tregojnë se çfarë ia panë hairin asaj.
Burri para kafenesë, me rrëmojsë në gojë, i thotë se si kjo “është shoqe e Donald Trump”, dhe Vjosa pajtohet, anipse do të duhej ta dinte se Donald Trump s’ka shokë.
…
Nuk e di a me qëllim a pa qëllim – besoj pa – Vjosa Osmani po bëhet e vetmja opozitë e Albin Kurtit.
Opozitë false apo reale, nuk jam e sigurt.
Do të ishte fantastike sikur të ishte opozitë false.
Dhe kështu,
opozita tash kanë punë me Vjosa Osmanin, e cila, për fatin e tyre të mirë, më shumë flet si Presidente tani kur s’është, sesa kur ishte Presidente.
Kjo nuk është pak.
Ajo e ka pranuar që është “mashtruar” nga Albin Kurti – që do të thotë se kushdo që ia ka mësyrë seriozisht ka mundur ta mashtrojë. Dhe ndoshta ka edhe të tjerë që e kanë “mashtruar”.
Ish-Presidentja Vjosa Osmani, çfarëdo që flet – flet kundër vetvetes.
Sa më shumë që i shpreh dashuri vetes – aq më e urryer bëhet.
Sepse… është një kohë për të heshtur.
…
Tani duket sikur nuk guxon ta thotë të vërtetën (nëse ka ndonjë të vërtetë të fshehur)…
duket sikur është e frikësuar dhe sikur e shantazhuar.
Sepse, pa qenë e cekët, nuk thua:
“E dinë institucionet se kë e kemi thirrur në 3 të natës e nuk na e ka hapur telefonin…!”
E shfrytëzoi politikisht orën 3 pas mesnate, sepse është metaforë edhe për udhëtimin e shpirtit drejt qiellit… ai çasti kur drita ndahet nga terri.
Natyrisht që s’ta çelin telefonin: të gjithë janë në udhëtim qiellor.
4. MUZEU I PRESIDENTES SË 6-TË
Madje,
Vjosa Osmani e ka tjetërsuar edhe faqen zyrtare të Presidencës, duke e kthyer në muze personal të “Presidentes së 6-të”; aq sa ushtruesja e detyrës, Albulena Haxhiu, u detyrua ta hapë një faqe të re – si të ishte duke marrë me qira një shtet të përdorur.
Nuk jam aq e marrë sa të them se “Osmani vs Haxhiu” tingëllon fiks si serial juridiko-dinastik arab.
EPILOG
Në fund tha:
“Deri në frymën e fundit.”
Kjo s’është politikë. Kjo është romantic noir me bukuroshin… Richard. Gere.
Po ti, e 6-ta,
bëj çfarë e ke nijet të bësh.
Gatitu?
Askush.
…
P.S.
I don’t know why,
But he loves to see me cry.
AUTOKRITIKË:
Fraternité? Non.









