(Dashuria falas. Urrejtja – e shtrenjtë.)
Ata që flasin e shkruajnë kundër luftës, kundër UÇK-së, kundër Kosovës, e në favor të Serbisë – marrin para me thasë.
Ne, të sinqertët, shkruajmë hakikat – ama falas.
Emrat tanë dihen.
Emrat e spiunëve i ruan shteti sekret.
Unë jam e angazhuar në Komisionin për Analizë dhe Sintezë, për të sqaruar një çështje me interes publik:
pse spiunët paguhen me thasë – e jo me çantë.
Një eksportues i thasëve, anëtar i Komisionit, sqaroi se pagesa me thes nuk është luks, por domosdoshmëri teknike;
eksperti gjerman i thasëve shtoi se thesi mund të shpohet lehtë, e Aktentasche jo.
Eksperti, që kërkoi të mbetet anonim, e demonstroi edhe praktikisht shpuarjen në fjalë, para Komisionit
Në seancën e dytë, Komisioni kaloi te çështja e ngjyrës së thasëve.
Materiali i thesit u shpall konfidencial, por për ngjyrën u tha se është bojë kripe… ndërsa gryka e thesit lidhet me tojë të leshtë, për të mos ngjallur dyshime.
Në takimin përmbyllës të Komisionit, unë, si gjuhëtare, erdha në përfundim se fjala “thes” përdoret në vend të fjalës “çantë”, sepse “thes” bart kujtime shpirtërore të popullit dhe i nervozon varfanjakët që s’kanë as bërllok për ta mbushur thesin.
Pra, këtu bëhet fjalë për krim stilistik, që destabilizon emocionalisht popullatën vendore – shtova unë.
Për “thesin me dy gryka”, nuk u deklarua asnjëri nga anëtarët e Komisionit, sepse kjo çështje doli jashtë kompetencave të Komisionit, meqë ishim thirrur vetëm për ekspertizën e thasëve me një grykë.
Në fund, veç emri im u bë publik; anëtarët e tjerë të Komisionit u shpallën sekret shtetëror.
…
Thuhet: kur s’e do – s’e do.
E shteti, duket, e do Kosovën… tinëz.
P.S.
Ndërkohë, u mor vesh se edhe pallën, edhe shpatën, i kanë futur në thes.
AUTOKRITIKË:
… je nxeh.









