“Kij kujdes, ki urdhër mbrojtës, mos thuaj çka u ba” -Prokurori e la me shënim zyrtar mesazhin që Arlinda e raportoi si kërcënim

Ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, Jeton Sylaj, më 21 shtator 2026 i kishte dërguar asaj një mesazh në WhatsApp, të cilin ajo e kishte konsideruar si paralajmërim dhe kishte shprehur frikë se mund të hakmerrej ndaj saj. Megjithatë, prokurori kujdestar, Argzon Hasi, kishte udhëzuar që rasti të procedohej vetëm me shënim zyrtar.


Këto detaje dalin nga raporti i koordinatorit nacional për dhunën në familje në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.

Sipas raportit të koordinatorit nacional, më 21 shtator Arlinda Zekaj ishte paraqitur në nënstacionin policor në Vitomiricë, ku kishte deklaruar se nuk kishte qasje në shtëpinë e përbashkët, ndonëse gjykata e kishte urdhëruar Jeton Sylajn që ta lejonte të kthehej në të.

Ajo kishte deklaruar gjithashtu se Jeton Sylaj ishte larguar për në Amerikë pa e ditur ajo se kujt ia kishte lënë djalin.

“Ndër të tjera deklaronte se me datë 21.09.2026, Jetoni i kishte dërguar një mesazh në rrjetin social WhatsApp, ku ju kishte drejtuar me fjalët ‘kij kujdes, ki urdhër mbrojtës, mos thuaj çka u ba’”, thuhet në raport.

Në deklarimin e saj, Arlinda kishte theksuar se ish-bashkëshorti i dërgonte mesazhe që ajo i përjetonte si kërcënime dhe se kishte frikë nga mundësia e hakmarrjes.


“Në deklarimin e saj Arlinda kishte potencuar se bashkëshorti i saj i dërgonte mesazhe të cilat përbëjnë paralajmërim dhe se kishte frikë nga mundësia e hakmarrjes.”

Pas deklarimit të saj, hetuesi policor Sead Hamzic kishte kontaktuar prokurorin kujdestar, Argzon Hasi, i cili kishte udhëzuar që rasti të procedohej me shënim zyrtar. Ndërkohë, Arlinda Zekaj ishte udhëzuar që të paraqitej të nesërmen në Qendrën për Punë Sociale.


Në të njëjtën deklaratë, ajo kishte ngritur edhe shqetësimin se Policia nuk e kishte kontaktuar asnjëherë lidhur me ekzekutimin e urdhrit mbrojtës të datës 7 shtator.

“Sipas deklaratës së viktimës, e njëjta deklaron se Policia asnjëherë nuk e kishte kontaktuar të njëjtën për ekzekutimin e urdhrit mbrojtës.”


Një ditë më vonë, më 22 shtator, me udhëzim të prokurorëve Argzon Hasi dhe Suada Hamza, ndaj Jeton Sylajt ishte hapur rasti me numër 2026-DA-1274, për veprat penale “Mospërfillje e urdhrit të gjykatës” dhe “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.

Zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale kishin konstatuar se Jeton Sylaj ishte larguar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 5 shtator dhe se fëmijën ia kishte besuar vëllait të tij.

Megjithatë, koordinatori nacional nuk kishte arritur të siguronte informacione nëse rasti ishte dërguar ndonjëherë në prokurori.

“Lidhur me rastin 2026-DA-1274, i cili është hapur për dy vepra penale kundër Jeton Sylaj dhe atë veprat penale ‘Mospërfillja e urdhrit të Gjykatës’ dhe ‘Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës’, nuk dihet nëse ky rast është dorëzuar në prokurori, nëse jo, pse nuk është dorëzuar?!”, thuhet në raport.

Në përgjigjen e tij drejtuar kryeprokurores së Pejës, prokurori Argzon Hasi kishte deklaruar se e kishte iniciuar rastin për mospërfillje të urdhrit të gjykatës, pasi Arlinda Zekajt nuk i ishte lejuar hyrja në shtëpi.

Ndërsa, lidhur me çështjen e fëmijës, ai kishte udhëzuar që të kontaktohej prokurori për të mitur dhe Qendra për Punë Sociale.

Më 22 tetor, Jeton Sylaj ishte kthyer në Kosovë. Vetëm tri ditë më vonë, më 25 tetor, Arlinda Zekaj u vra në shtëpinë e saj në Vitomiricë.

Për vrasjen e saj dyshohet vëllai i Jeton Sylajt, Albert Sylaj.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit