Lideri suprem i Iranit, Aytollah Ali Khamenei, ka vazhduar me postime në X, duke goditur këtë radhë SHBA-në, për të cilën ka thënë se i ka dhënë një shuplakë të fortë.
“Irani ishte në gjendje të dilte fitimtar dhe i dha një shuplakë të fortë Amerikës”, ka shkruar Khamenei, raporton BBC.
Sipas tij, Irani ka fituar edhe ndaj, siç e ka quajtur, regjimit amerikan.
Khamenei ka shtuar se SHBA-ja ka hyrë në luftë të drejtpërdrejtë sepse “mendonte se nëse nuk do ta bënte këtë, regjimi sionist do të shkatërrohej plotësisht”.
Deklarata e tij vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara po përgatiten të japin një përditësim zyrtar mbi ndikimin e sulmeve ajrore ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, do të mbajë një konferencë për shtyp të enjten në Pentagon, ku do të prezantojë gjetjet më të fundit për dëmet që kanë shkaktuar bombardimet amerikane ndaj infrastrukturës bërthamore iraniane.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar konferencën përmes Truth Social: “Konferenca për Shtyp do të jetë interesante dhe e pakundërshtueshme”.
Ndërkohë, gjatë një fjalimi në samitin e NATO-s në Hagë, Hegseth është shprehur i bindur se ndërhyrja amerikane ka zvogëluar ndjeshëm kapacitetin bërthamor të Teheranit.






