Një operacion i madh i Njësisë Kundër Terrorizmit është finalizuar me katër arrestime në komunën e Kaçanikut, në kuadër të hetimeve për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Lika. Burime të sigurta konfirmojnë emrat e personave të ndaluar si: Labinot Murati, Fatjon Tusha, Elmedin Raka dhe Ridvan Axhami.
Të katër këta persona dyshohet se janë të përfshirë në vepra penale të rënda, përfshirë: “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje“, “Pjesëmarrje në grupe terroriste“, dhe “Rekrutim për qëllime terroriste“.
Operacioni u zhvillua mëngjesin e 25 prillit 2025 dhe përfshiu bastisje të njëkohshme në disa lokacione. Burimet hetimore kanë konfirmuar se të arrestuarit kanë qenë nën masa të fshehta të hetimit prej kohësh dhe veprimet e tyre janë monitoruar përmes përgjimeve dhe vëzhgimeve fizike.
Hetimet lidhen drejtpërdrejt me rastin e vrasjes së rreshterit Afrim Lika – një ngjarje që ka tronditur strukturat e sigurisë në vend dhe që po trajtohet me prioritet maksimal nga Prokuroria e Krimeve të Rënda
Sipas informacioneve, provat e siguruara nga bastisjet konsiderohen vendimtare dhe do të luajnë rol kyç në formalizimin e akuzave.








