Një incident është shënuar sot në Podujevë, ku një mosmarrëveshje në komunikacion ka eskaluar në përleshje fizike mes një zyrtari policor dhe dy qytetarëve.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30 në rrugën “Mehmet Ejupi”, në fshatin Sekiraqë.
Në këtë rast janë përfshirë zyrtari policor i njësisë FIT (me gradën Toger, emër i njohur për Sinjalin), si dhe babë e djalë, Halil Kastrati dhe Edon Kastrati.
Sipas informatave, pas një konflikti në trafik, palët kanë kaluar në përleshje fizike, ku janë shkëmbyer grushte dhe si pasojë të gjithë kanë pësuar lëndime trupore.
Të përfshirëve u është ofruar tretman mjekësor, ndërsa më pas janë shoqëruar në Stacionin Policor në Podujevë.
Për rastin janë njoftuar njësia e hetimeve, Njësia për Hetime të Brendshme dhe Inspektorati Policor i Kosovës, të cilët pritet të ndërmarrin veprimet e mëtejshme hetimore.
Rasti është në trajtim.









