Këshilltarja politike e Albulena Haxhiut, Berita Abazi, ka marrë 2 mijë e 851 euro nga organizata joqeveritare “Integra”. Kjo OJQ ishte bashkëhartuese e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila qëndroi për disa ditë e vendosur në sheshin e kryeqytetit, por pasi u zbulua se në të kishte përmbajtje që shtrembëron një pjesë të së vërtetës për luftën, leja iu pezullua nga Komuna e Prishtinës.
Abazi pranimin e kësaj shume e ka deklaruar edhe në formularin e deklarimit të pasurisë për vitin 2024.

Sipas Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave, pozita të cilën mbante Abazi cilësohet si zyrtare e lartë.
Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik ka përcaktuar se: “Zyrtari i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues, me përjashtim të funksionit drejtues, të organizatës joqeveritare nga lëmi i shkencës, sportit, arsimit, kulturës, veprimtarive humanitare dhe të ngjashme, pa të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me to”.
Pra, krahas ndalesës për angazhim në pozitë drejtuese, ligji ka theksuar se në të gjitha rastet kur angazhimi është i lejuar, duhet të jetë pa shpërblim me pagesë, gjë që nuk ka ndodhur në rastin e Abazit.









