Tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë në pikën më të lartë që nga përfundimi i marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, ndërsa paralajmërimet e mëdha ushtarake dhe retorika agresive përshkallëzohen ditë pas dite, duke ngritur shqetësime serioze për një konflikt të mundshëm me pasoja rajonale apo edhe globale.
Sot presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar hapur Iranin, duke kërkuar që Teherani të pranojë një marrëveshje bërthamore të re dhe duke paralajmëruar se nëse Irani refuzon, SHBA-ja është gati të përdorë forcë ushtarake shumë më të fortë se operacionet e mëparshme. Ai deklaroi se një flotë e madhe ushtarake amerikane, një “armadë” me anijen luftuese USS Abraham Lincoln dhe forca të tjera, është dërguar pranë Iranit, me synimin e tregimit të gatishmërisë ushtarake për të detyruar Teheranin në një zgjidhje sipas kushteve të Uashingtonit. Trump theksoi se koha për bisedime është duke u shteruar dhe se kërcënimi ndaj Iranit mbetet serioz.
Edhe mediat izraelite raportojnë se SHBA po konsideron një “lëvizje të gjerë kundër Iranit”, përfshirë edhe opsione që lidhen me ndryshim regjimi në Teheran, një ide që ka alarmuar edhe më tej aktorët ndërkombëtarë. Kjo perceptohet si një nga skenarët më radikalë të mundshëm, duke nxitur spekulime nëse tensionet mund të çojnë në një konflikt të hapur.
Iranianët kanë reaguar me retorikë shumë të fortë ndaj këtyre kërcënimeve. Përmes një deklarate zyrtare në OKB, Teherani shprehu gatishmërinë për dialog “bazuar në respekt të ndërsjellë”, por paralajmëroi gjithashtu se do të përgjigjet si kurrë më parë nëse goditet nga SHBA-ja. Irani theksoi se përvojat e konfliktit të mëparshëm në Afganistan dhe Irak tregojnë koston e lartë të ndërhyrjeve të huaja.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi nënvizoi se forcat e armatosura iraniane janë gjithmonë në gatishmëri, “me gishtin mbi këmbëz”, duke treguar se Teherani është i përgatitur të përgjigjet fuqishëm ndaj çdo agresioni, ndërsa shtoi se Teherani nuk kërkon armë bërthamore dhe se bisedimet e drejtpërdrejta me SHBA-në aktualisht janë pezulluar.
Një tjetër këshilltar i lartë iranian ka paralajmëruar se çdo veprim ushtarak amerikan do të konsiderohet fillimi i një lufte të gjerë, me premtimin për një përgjigje të menjëhershme dhe të pa precedentë, duke përfshirë edhe objektiva strategjike në rajon përtej territorit iranian.
Situata është e tensionuar jo vetëm mes dy vendeve, por edhe brenda vetë rajonit. Disa vende të Gjirit si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë refuzuar që SHBA të përdorë hapësirën e tyre ajrore për sulme ndaj Iranit, duke dëshmuar ndarjet e brendshme në lidhje me mënyrën se si duhet menaxhuar konflikti.
Ndërkohë, shtetet e rajonit dhe aktorët ndërkombëtarë si Turqia po bëjnë thirrje për zgjidhje nëpërmjet dialogut dhe për reduktimin e tensioneve, duke sugjeruar se çështjet e ndryshme duhen adresuar një nga një për të shmangur një konflikt të madh.










