Konflikti midis SHBA-së dhe Rusisë po përshkallëzohet. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump urdhëroi dje vendosjen e dy nëndetëseve bërthamore pranë kufirit me rusinë. Ndërkohë, si përgjgije, Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia ka filluar prodhimin e raketave të saj të reja hipersonike dhe ka përsëritur planet e saj për t’i vendosur ato në aleatin e saj bjellorus deri në fund të vitit.
I ulur pranë Presidentit Bjellorus Aleksandër Lukashenko në ishullin Valaam, pranë Shën Petersburgut, Putin tha se ushtria ka zgjedhur tashmë vendet e vendosjes në Bjellorusi për raketën balistike me rreze të mesme veprimi Oreshnik.
“Puna përgatitore është duke u zhvilluar dhe me shumë mundësi do ta përfundojmë atë deri në fund të vitit”, tha Putin, duke shtuar se grupi i parë i Oreshnik dhe sistemeve të lidhura me të është prodhuar dhe është bërë funksional.
Rusia e përdori për herë të parë Oreshnik, që do të thotë “lajthi” në rusisht, kundër Ukrainës në nëntor, duke synuar një fabrikë në Dnieper që kishte ndërtuar raketa që kur Ukraina ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik. Vlen të theksohet se raketa Oreshnik që mund të mbajë koka luftarake konvencionale ose bërthamore, ka një rreze veprimi që i lejon asaj të arrijë të gjithë Evropën.
Nga ana tjetër, Trump e quajti Putinin; “një djalë i ashpër”, gjatë një interviste me median konservatore Newsmax në orët e fundit, ku u pyet nëse mendimi i tij për liderin rus kishte ndryshuar në muajt e fundit.
Më tej ai shtoi se deri para pak kohësh ata kishin marrëdhënie shumë të mira dhe se ishin në rrugë të mbarë për t’i dhënë fund luftës, por krejt papritur gjërat ndryshuan.
“Ai është padyshim një djalë i ashpër, kështu që nuk ka ndryshuar në këtë kuptim. Por jam i befasuar. Kemi pasur biseda të shumta produktive ku mund ta kishim lënë mënjanë këtë dhe papritmas filluan të fluturonin bombat“, tha Trump.
Udhëheqësi amerikan u pyet se cilat do të ishin veprimet e tij nëse një marrëveshje për Ukrainën nuk mund të arrihej brenda 10 ditëve të caktuara për ta, të cilat skadojnë më 8 gusht.
“Ne do të vendosim sanksione. Ai i menaxhon shumë mirë sanksionet, ai di si t’i anashkalojë ato”, u përgjigj Trump, duke iu referuar Presidentit rus Vladimir Putin.
Trump më pas e quajti përsëri atë që po ndodh në Ukrainë “luftën e Biden” dhe shtoi se nuk do ta kishte lejuar këtë konflikt nëse do të kishte mbetur në pushtet menjëherë për një mandat të dytë.
“Nuk kishte dyshim për këtë. Dhe unë u shoqërova mirë me Putinin“, theksoi presidenti i SHBA-së.
Sa i takon deklaratave provokuese të Dmitry Medvedev, Trump tha se ish-presidenti rus nuk duhet të kishte përmendur armët bërthamore.
“Medvedev ka thënë disa gjëra shumë serioze, duke folur për armët bërthamore. Dhe kur përmend fjalën ‘bërthamore’, e dini, sytë më shkëlqejnë dhe them, ‘Më mirë të jemi të kujdesshëm’, sepse është kërcënimi përfundimtar. Ai ka thënë gjëra të tilla më parë. Kështu që ne gjithmonë duam të jemi gati. Dhe kështu dërgova dy nëndetëse bërthamore në rajon. Dua vetëm të sigurohem që fjalët e tij janë vetëm fjalë dhe asgjë më shumë“, tha Trump për Newsmax.
Kujtojmë se i zemëruar nga fjalët e politikanit rus, Trump dje urdhëroi dy nëndetëse bërthamore t’i afroheshin Rusisë.










