Kardiologu Dr. Arlind Batalli ka ngritur shqetësimin për një rast që, sipas tij, mund të kishte pasoja serioze për shëndetin e pacientit, pasi medikamenti i përshkruar nga mjeku dyshohet se është zëvendësuar në farmaci me një ilaç tjetër.
Në fotografinë e publikuar shihet rekomandimi mjekësor “Prasugrel 10 mg”, ndërsa pranë tij ndodhet një kuti e Xarelto-s, me substancë aktive rivaroxaban.
“Kur farmacisti apo tekniku e merr guximin me ndërru medikamentin dhe merr pacientin në qafë”, ka shkruar kardiologu Batalli, duke alarmuar për rrezikun e ndërhyrjes në terapinë e përcaktuar nga mjeku.
Rasti është veçanërisht shqetësues për faktin se nuk bëhet fjalë për zëvendësimin e një bari me një ekuivalent me të njëjtën substancë aktive. Prasugreli dhe rivaroxabani janë barna të klasave të ndryshme dhe veprojnë përmes mekanizmave të ndryshëm: prasugreli është antiagregues trombocitar, ndërsa rivaroxabani është antikoagulant oral direkt.
Megjithatë, nga fotografia dhe deklarata e publikuar nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur se kush e ka bërë zëvendësimin dhe në çfarë rrethanash, ndaj përgjegjësia konkrete eventuale mbetet për t’u sqaruar.








