- Shkruan Enver Bytyçi
Sa më shumë acarohet situata e brendshme në Serbi, aq më shumë rritet nervoziteti i presidentit Aleksandër Vuçiq. Në nervozizëm e sipër ai bën deklarata kundër Perëndimit, kundër BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e gjitha kjo duke kërcënuar Kosovën, integritetin e saj territorial dhe shtetësinë e shpallur më 17 shkurt 2008.
Në këndvështrimin e tij provokativ, ai kurrë nuk do ta njohë shtetin e Kosovës dhe u kërkon perëndimorëve që të mos i bëjnë Serbisë presion për këtë qëllim. Në fakt kreu i shtetit serb thjesht provokon. Madje i kërcënon amerikanët dhe evropianët se mund ta destabilizojë rajonin. Por duke iu kundërvënë njohjes së Kosovës dhe marrëveshjeve që e detyrojnë atë ta bëjë këtë së paku de facto, Vuçiq fsheh disa brenga të tij të pashpallura publikisht.
Deklarata se ai nuk do ta njohë shtetin e Kosovës me pohimin “Mos prisni që unë ta njoh” këtë si shtet, u bë menjëherë pas pjesëmarrjes së tij në paradën ushtarake të Pekinit krah diktatorëve të tjerë të lindjes. Kam përshtypjen se diçka ka ndodhur në Pekin me Aleksandër Vuçiq. Vëmendja e Vladimir Putin ndaj tij ishte e mangët, e pamjaftueshme.
Kërcitja e shuplakës në dorën e Putin erdhi nga Vuçiq si shenjë servilizmi dhe njëkohësisht “ndjese” për marrëdhëniet e mira të para disa kohëve me perëndimin e për disa çështje, si ai i furnizimit me armë të Ukrainës. Duket qartë që presidenti i Serbisë iu bashkua presidentit të Rusisë e më pas edhe të Kinës e të tjerëve në festimet e Pekinit, me qëllim që të rilidhë marrëdhëniet me këto fuqi.
Nuk është zor të kuptohet se Putin i ka kërkuar kreut të shtetit të Serbisë prova të reja “besnikërie” në këmbim të mbështetjes së tij në situatën dramatike të protestave të studentëve dhe qytetarëve serbë. Megjithatë as Putin nuk ia ka besën Vuçiqit as ky i fundit nuk i ze besë presidentit rus.
Me shumë gjasa kreu i Kremlinit dëshiron të përfitojë nga gjendja e vështirë e kreut serb të shtetit dhe ta detyrojë këtë të bëjë aventura në kuadër të përpjekjeve për destabilizimin e rajonit të Evropës Juglindore. Ky destabilizim i duhet Moskës jo vetëm për të shtrirë ndikimin e saj në Ballkan, por edhe për të kryer ndonjë operacion blic në Moldavi në emër “të mbrojtjes së minoritetit rusisht folës në këtë vend”, i ngjashëm me agresionin rus kundër Ukrainës!
Por a është Kosova targeti i këtij destabilizimi? Po, ata do të donin që edhe Kosovën ta destabilizonin. Por në fakt Kosova nbetet alibia e kësaj aventure ruso-serbe. Targeti kryesor është Bosnjë-Hercegovina. Por meqenëse Bosnja është shtet i njohur ndërkombëtarisht, retorika transferohet te Kosova, e cila ende nuk është njohur dhe pranuar në OKB.
Madje qëllimi i këtij vendimi është pikërisht ai që Rusia të nxjerrë përfitimet e tij gjeopolitike në Evropën Lindore dhe Juglindore, sidomos në Ukrainë, më pas në Moldavi dhe pse jo edhe në vendet baltike. Ndërkohë ndarja e Bosnjë-Hercegovinës dhe përfshirja e Malit të Zi në këtë konflikt, nëse ata do ta realizonin, janë kushti themelor që Rusisë i garanton daljen në Adriatik. Kosova nuk përbën për Rusinë një interes të tillë gjeopolitik. Thjesht ajo përdoret për diversionin e radhës kundër Perëndimit.
Nëse gjykojmë realisht për këto interesa ruse, atëherë duhet të themi se Moska po e shfrytëzon dhe nxit Serbinë në retorikën nacionaliste për Kosovën, por me një kahje tjetër interesi thelbësor, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën. Nëse ajo ia arrin kësaj, atëherë do të heq dorë nga Kosova dhe për pasojë Serbia do të gjendet para një fakti të kryer. Për këtë arsye kam artikuluar vazhdimisht mundësinë që problemi i Kosovës të zgjidhet përmes marrëdhënieve të drejtpërdrejta midis Donald Trump dhe Vladimir Putin. Kreu i Kremlinit e ka shumë të lehtë që në momentin e përshtatshëm, kur ai t’i ketë fituar disa privilegje, ta lëshojë Kosovën.
Megjithatë Vuçiq ka një interes themelor që përdor Kosovën në retorikën e tij, edhe nëse ai e njeh këtë realitet, që përshkrova më lart. Interesi i tij është ta mbingarkojë opinionin serb me nacioanlizëm të rremë e me hipokrizi politike dhe të kapërcejë vështirësitë e kaosit të krijuar në Serbi.






