Pas pesë vitesh bashkëpunim me Albin Kurtin, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për presidente, Vjosa Osmani ka zbuluar detaje për raportet e kryeministrit në detyrë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Osmani, e cila së fundi ka qenë shumë aktive në intervista, tha se shpeshherë ka ndërhyrë personalisht tek zyrtarët amerikanë për të kërkuar mbështetje dhe mirëkuptim për Kurtin. Sipas saj, në disa raste ka insistuar fuqishëm që Washingtoni t’i japë një mundësi kryeministrit të Kosovës.
“Është për keqardhje të thuhet se unë kam shkuar në Amerikë për ta sulmuar Kurtin. Ka ndodhur krejt e kundërta. Çdo veprim i tij është mbrojtur dhe arsyetuar nga ana ime. Kam kërkuar me ngulm nga ShBA-të që ta takojnë kryeministrin Kurti. U kam thënë vazhdimisht: ‘Ju lutem, jepjani një shans’, sa herë që kanë qenë të pakënaqur me të”,deklaroi Osmani.
Në një intervistë në Rubikon, Osmani zbuloi se raportet me aleatët perëndimorë kishin arritur deri në pikën kur përmendeshin edhe sanksione ndaj zyrtarëve të Qeverisë Kurti.
Ajo tha se gjatë muajve të fundit kishte pasur diskutime serioze nga përfaqësues amerikanë dhe evropianë për masa ndëshkuese ndaj individëve të caktuar në qeveri.
“ShBA-të kanë pasur mospajtime jashtëzakonisht të mëdha me disa veprime të Qeverisë së Kosovës. Unë i kam mbrojtur ato veprime, sepse i konsideroj legjitime dhe në përputhje me Kushtetutën. Problemi ka qenë mënyra se si janë ndërmarrë ato hapa, pa koordinim”, tha Osmani.
Sipas saj, në tavolinat diplomatike janë përmendur “me emra e mbiemra” zyrtarë që mund të përballeshin me sanksione.
“Ka pasur diskutime konkrete për sanksione, madje edhe së fundmi. Ne kemi insistuar që kjo të mos ndodhë. Janë përmendur emra dhe është thënë qartë se disa veprime nuk do të tolerohen. Është folur si për pasoja ndaj individëve, ashtu edhe për pasoja ndaj Kosovës”, deklaroi ajo.









