Shtatë gazetarë të portalit Klan Kosova kanë dhënë dorëheqje kolektivisht, pasi kërkesa e tyre për kompensim shtesë për angazhimin në mbulimin e Big Brother VIP Kosova, sipas tyre, nuk u mor parasysh, shkruan GazetaKosova.net
Lajmin e ka bërë të ditur gazetarja Genita Ukaj, e cila përmes një reagimi publik ka shpjeguar arsyet e largimit dhe pakënaqësitë e ekipit me udhëheqjen e portalit.
Ukaj ka bërë të ditur se bashkë me të janë larguar edhe Lendita Elshani, Albina Haxholli, Lum A. Gashi, Albert B. Bajrami, Kasim Gerbeshi dhe Endrit Krasniqi.
Sipas saj, ekipi kishte kërkuar që angazhimi shtesë dhe puna e jashtëzakonshme gjatë mbulimit të formatit televiziv të kompensoheshin në mënyrë të drejtë, por kërkesa e tyre nuk u mor parasysh, pavarësisht se ishte ngritur disa javë më parë.
“Ne nuk pranuam të heshtim përballë asaj që e konsiderojmë të padrejtë”, ka shkruar Ukaj në reagimin e saj.
Ajo ka theksuar se largimi ishte një qëndrim i përbashkët i shtatë gazetarëve, të cilët, sipas saj, nuk pranuan që angazhimi dhe presioni në punë të shtoheshin pa kompensim shtesë.
Gazetarja ka veçuar edhe situatën e saj personale, duke bërë të ditur se është në muajin e pestë të shtatzënisë dhe se vendimi për t’u larguar nga puna ishte veçanërisht i vështirë në këtë periudhë.
“Dinjiteti ynë nuk është i negociueshëm!”, ka përfunduar ajo reagimin e saj.
Rasti ngre sërish çështjen e kompensimit për punën shtesë në mediat kosovare dhe të rëndësisë së trajtimit të drejtë të gazetarëve, sidomos kur angazhimi profesional tejkalon detyrat e zakonshme të punës.








