Prishtina u shndërrua sot në skenë qendrore të lajmeve ndërkombëtare, teksa mijëra qytetarë marshuan nën moton “Drejtësi, jo politikë”, në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Në qendër të kryeqytetit, nën flamujt kuqezi dhe simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë u raportua gjerësisht nga mediat ndërkombëtare, përfshirë Reuters dhe kanalin francez France 24.
Sipas Reuters, marshimi në kryeqytet u zhvillua nën simbolet e UÇK-së dhe me një pjesëmarrje masive, duke e shndërruar Prishtinën në epiqendrën e mobilizimit popullor në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Artikulli e vendos protestën në kontekstin e gjykimit që po zhvillohet në Hagë, ku ish-krerët e lartë politikë dhe ushtarakë të Kosovës përballen me akuza për krime lufte.
Reuters raporton nga terreni: “Mijëra njerëz u mblodhën në Prishtinë të martën, duke mbajtur pankarta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të shqiptarëve etnikë, për të protestuar kundër gjyqit ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë një ish-president, të akuzuar për krime lufte gjatë luftës së viteve 1998-99 për pavarësi.”
Artikulli rikujton se ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi u arrestuan në vitin 2020 dhe u dërguan për t’u përballur me gjyq në gjykatën e posaçme për krime lufte për Kosovën në Hagë.
Gjykata ndodhet në fazën përfundimtare të procesit.
“Gjykata po dëgjon këtë javë argumentet përmbyllëse në gjyq, përpara se gjyqtarët të japin vendimin përfundimtar brenda tre muajve. Prokurorët po kërkojnë një dënim prej 45 vitesh për secilin.”
France24 e vendos protestën në të njëjtin kontekst, duke theksuar se tubimi u mbajt pikërisht në Ditën e Pavarësisë dhe “pak para seancës përfundimtare në gjyqin ndaj ish-presidentit dhe liderit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me tre figura të larta të lëvizjes guerile.”
Televizioni francez raporton se nga ajri shihej turma që mbushte sheshin kryesor dhe rrugët përreth, ndërsa vlerësohet se në protestë morën pjesë dhjetëra mijëra qytetarë, me organizatorët që flasin për mbi 200 mijë të pranishëm.
France24 thekson flamujt e kuq me stemën e verdhë e të zezë të UÇK-së dhe thirrjet e turmës që brohoriste për UÇK-në, teksa marshonte në qendër të Prishtinës.










