Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Teksas, SHBA, ku një vajzë 7-vjeçare u rrëmbye dhe më pas u vra, nga një postier, rast që ka tronditur opinionin publik dhe është pasqyruar gjerësisht nga mediat ndërkombëtare.
Bëhet fjalë për Athina Strand, e cila u rrëmbye në nëntor të vitit 2022 nga një shpërndarës i kompanisë FedEx, 34-vjeçari Tanner Horner. I akuzuari ka pranuar fajësinë për vrasje.
Anëtarët e jurisë nuk mundën të përmbanin lotët kur panë videon tronditëse në të cilën Athina Strand, një vajzë 7-vjeçare, duket teksa pyet shpërndarësin e FedEx nëse do ta rrëmbejë, vetëm pak çaste përpara se ai ta vrasë.
E mitura dëgjohet teksa pyet 34-vjeçarin Tanner Horner: “A je rrëmbyes?”, në materialin që u paraqit në gjykatën e Fort ëorth, të enjten ë 16 prill 2026.
Në video, vajza flet me Horner për mësuesen dhe shkollën e saj, përmes regjistrimit të kamerës në automjet në ditën e vrasjes, në nëntor të vitit 2022.
Ndërsa kamioni ndalon, fëmija fillon të duket gjithnjë e më e frikësuar. Shumë anëtarë të jurisë qanë gjatë seancës, ndërsa pjesëtarë të familjes u larguan nga salla për shkak të ngarkesës psikologjike.
Një fotografi që ishte paraqitur më herët tregonte Athinën brenda automjetit, pranë Horner, gjatë rrëmbimit të saj.
Autori e kishte marrë fëmijën nga shtëpia e saj në Paradise të Teksasit, ndërsa po dorëzonte një pako me dhurata Barbie që ishin të destinuara për Krishtlindje.
I akuzuari ka pranuar tashmë fajësinë për vrasje të shkallës së parë dhe tani gjykata duhet të vendosë nëse do t’i caktohet dënimi me vdekje.
Nëna dhe babai i vajzës së ndjerë dëshmuan në gjyq, por nuk qëndruan në sallë gjatë shfaqjes së videos. Sipas regjistrimit të plotë, Horner mbërriti në shtëpinë e familjes për të dorëzuar pako, ndërsa e mitura e ndoqi jashtë.
Më pas, ai e futi në automjet dhe e çoi në pjesën e brendshme të kamionit, ku edhe mbylli derën.
Fëmija e pyeti disa herë nëse ishte rrëmbyes. I akuzuari i kërkoi të ulej dhe thuhet se e kërcënoi se do t’i bënte keq nëse bërtiste.
Më tej, ai e pyeste për shkollën, mësuesen dhe detaje të tjera personale, ndërsa vajza përgjigjej.
Në një moment, automjeti ndalon dhe vajza pyet se ku ndodhen, ndërsa Horner përgjigjet se nuk jeton aty pranë.
Pak më vonë, ai i kërkon të «presë pak», ndërsa më pas i kërkon të heqë rrobat; ajo refuzon dhe kërkon nënën e saj.
Pasojnë momente terrori, ku fëmija dëgjohet duke qarë dhe duke bërtitur, përpara se regjistrimi të ndërpritet. Horner kishte deklaruar para autoriteteve se e kishte goditur aksidentalisht fëmijën me automjetin e tij dhe se u panikua, duke e futur atë në furgon. Sipas dëshmisë së tij, më pas e mbyti brenda automjetit.









