Jetoj në të njëjtën shtëpi me të, ndajmë dhomën, tryezën, faturat, fëmijët. Por jo më zemrën. Jo më fjalët e ngrohta. Jo më vështrimin që dikur më bënte të ndihesha grua, e dëshiruar, e dashur. Tashmë flasim vetëm për gjëra praktike. Ai vjen vonë. Hesht. Dhe kur është i pranishëm, ndjej mungesën e tij më shumë se kurrë.
Dhe pastaj ndodhi diçka që nuk e kisha planifikuar. Një lidhje. E padukshme për të gjithë. Jo domosdoshmërisht fizike, por e thellë, emocionale. Filloi me një bisedë të thjeshtë në internet, pastaj u shndërrua në diçka që më ndriçonte ditën. Ai më dëgjonte. Më kuptonte. Më shihte. Dhe unë nuk ndihesha më e vetmuar.
Ndjehem në faj. E di që nuk është mënyra e duhur për të gjetur veten. Por njëkohësisht ndjehem gjallë. Më shumë gjallëri kam ndier në një mesazh të natës se sa në gjithë vitet e heshtjes me burrin tim.
Çfarë duhet të bëj? Të vazhdoj këtë “arratisje” që më mban në jetë? Apo të qëndroj në një martesë që më konsumon dita-ditës?
Përgjigjja e psikologes: Ti nuk je vetëm. Ajo që ndjen – mungesën e dashurisë, të vëmendjes, të afërsisë – është një plagë që shumë e mbajnë brenda heshtur. Martesa nuk është vetëm bashkëjetesë. Është bashkëndjesi, bashkëkohë, bashkëtrup e bashkëzemër.
“Lidhja e padukshme” që përmend është në fakt një thirrje për ndjenjë, një klithmë që kërkon të dëgjohet, jo thjesht një aventurë. Ajo që po të jep kjo lidhje është ajo që mungon në martesën tënde: vëmendje, ngrohtësi, bisedë, jetë. Por të lutem, mos e shih si zgjidhje, por si simptomë.
Të tradhtosh emocionalisht shpesh lind si rezultat i një boshllëku të gjatë, jo nga një dëshirë për të lënduar. Por nëse nuk përballesh me realitetin tënd, rrezikon të ngecësh në një rrjet fajësie, fshehtësie dhe dhimbjeje më të thellë.








